E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bashkëpunim ushtarak me Kinën

Qëllimi i vizitës së delegacionit nga Policia Ushtarake e Republikës Popullore të Kinës në Shqipëri është zgjerimi i bashkëpunimit ndërmjet dy ushtrive tona.

Ministri Imami u shpreh se bashkëpunimi ndërmjet dy vendeve tona është shtrirë në shumë fusha dhe ka dhënë rezultate të frytshme. Imami theksoi se bashkëpunimi ndërmjet Shqipërisë dhe Kinës, e në veçanti ndërmjet dy ushtrive tona është i mirëpritur. Ministri i Mbrojtjes, Imami bëri një prezantim të politikave tona të mbrojtjes dhe qëndrimit që ka pasur vendi ynë ndaj zhvillimeve në rajon. Ministri i Mbrojtjes u shpreh se Shqipëria ka luajtur një rol konstruktiv duke kontribuar për stabilitetin e Ballkanit.

Ai tha se problemet madhore të Ballkanit janë vendosur në rrugën e zgjidhjes, ndërsa theksoi se pavarësia e Kosovës dhe dalja e saj si shtet më vete, bazuar në të drejtën ndërkombëtare, ka krijuar parakushtet për një balancë më realiste në Ballkan. Imami u shpreh se Stabiliteti i Maqedonisë, Bosnjë Herzegovinës dhe Kosovës,  është shumë i rëndësishëm për stabilitetin e rajonit të Ballkanit. Ai shtoi se roli i Kinës, si një prej fuqive të mëdha të globit, është i rëndësishëm edhe për rajonin e Ballkanit dhe roli i saj konstruktiv është i mirëpritur.

Duke folur për bashkëpunimin ndërmjet dy ushtrive tona, Ministri Imami shprehu angazhimin e palës shqiptare për të hartuar një plan serioz bashkëpunimi me Ushtrinë Popullore të Kinës, duke përfshirë edhe bashkëpunimin ndërmjet dy Policive Ushtarake.

Delegacioni nga Republika Popullore e Kinës vlerësoi rolin konstruktiv dhe qasjen për një fqinjësi të mirë në rajon të Republikës së Shqipërisë dhe shprehën gatishmërinë e tyre për të rritur bashkëpunimin me Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë. Delegacioni i lartë ushtarak kinez i kryesuar nga zv.komandanti i Policisë Ushtarake Kineze, gjeneral lejtnant Dai Sujun, është pritur në takim nga shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FA-së, gjeneralmajor Xhemal Gjunkshi, ndërsa më pas kanë zhvilluar një vizitë në Policinë Ushtarake dhe në Batalionin e Forcave Speciale në Zall-Herr. /Start/

                                                                                             2012-09-24 15:12
   

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›