E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: Rama synon pazare dhe jo reforma

Në mbledhjen e grupit parlamentar, Berisha tha se mos dhënia e votës për këtë ligj përcjell një mesazh të keq.

“Ai çoi mesazhin shumë të gabuar, që këtu reformat e drejtësisë. Qëllimi i tij i parë dhe i fundit janë pazaret për pushtetin e tij. Në pushtet nuk vihet nëpërmjet pazareve. Në pushtet nuk vihet duke i thënë qeverisë më jep këtë dhe atë. Çka i tregon zgjedhësve: që qeveria të blen dhe të shet sa herë do? Nëse ti beson në drejtësinë e pavarur dhe pavarësinë e saj, si mund të bësh propozime të tilla? Asnjë ligj opozita nuk voton për të ndihmuar qeverinë. Shqiptarët janë të mërzitur nga kjo. Shqiptarët nuk duan të shohin forcat e politike si agjentë tregtarë. Shqiptarët kërkojnë forca të lidhura me parimet që kanë në programet e tyre. Ftoj z. Rama të heqë dorë nga ky qëndrim. Është partia socialiste që ka kërkuar me ngulm ngritjen e kolegjit në këtë Gjykatë për të dhënë votën për Gjykatën Administrative. Tani që pranuam ne, ai nuk pranon. Kërkove Kolegjin për të bllokuar më pas gjithë ligjin? Ky ligj nuk është për qeverinë, ministrat dhe deputetët, por për të gjithë qytetarët”, theksoi Berisha.

Më pas, ai foli për reformën parlamentare, e cila vazhdon të mbetet peng për shkak të mos rënies dakord për dy nene të saj. Berisha tha se në asnjë rregullore të vendeve demokratike nuk parashihen ato çka kërkon opozita. Më tej, kryeministri u shpreh se Rregullorja e Parlamentit të Shqipërisë është pikë për pikë e ngjashme me atë të Parlamentit Evropian.

“Ka një marrëveshje, hajde t’i përmbahemi pikë për pikë. Ne deklaruam se pranojmë se do të ndërhyjmë në çdo nen të Rregullores që bie ndesh me Parlamentin Evropian. Kur u pa, ajo doli se ishte në përputhje me Parlamentin Evropian. Tani mund të nxjerrësh 100 pretekste. Nëse merr përsipër të shkelmosh marrëveshjen, atëherë ti dënon veten sepse bëhesh palë e pabesueshme tek njerëzit tu në radhë të parë, tek partnerët dhe tek qytetarët e tu. A ke firmosur këtë marrëveshje, e cila është shndërruar në vendim të Kuvendit. Pse nuk mori rregulloren e parlamentit venezuelian, kur nuk pranon atë të Bashkimit Evropian. Rama synon sundimin e pakicës.

Ai kërkon që dekretet e Presidentit të votohen haptas. Dekreti dhe ligji nuk mund të votohen fshehtas dhe këtë e di shumë mirë z. Rama. Pse ky Parlament voton fshehtas Prokurorin e Përgjithshëm, Avokatin e Popullit, Guvernatorin e Bankës dhe dhjetëra funksione të tjera që nuk votohen dot fshehtas gjykatësit e Kushtetueses dhe atë të Lartë, për faktin e vetëm që një vendim i Gjykatës Kushtetuese, ndryshoi aktin dhe rrugën në procedurën e zgjedhjes së gjykatësit. Para këtij vendimi, presidenti i Republikës propozonte gjykatësin dhe i dekretonte pasi votoheshin në Parlament. Gjykata Kushtetuese, pavarësisht se ai është ligj organik, urdhëroi që Presidenti me aktin e parë dekreton gjykatësin. Presidenti dërgon gjykatës të dekretuar në Parlament”, theksoi kreu i qeverisë.

Për sa i përket kohës në Parlament, Berisha tha se Rama kërkon që koha e kryetarit të opozitës të jetë e njëjtë me atë të Kryeministrit, çka sipas tij, kjo nuk ekziston në asnjë shtet demokratik. “Kjo mazhorancë nuk ka lëvizur asnjë germë për sa i përket foltores për kryetarin e opozitës dhe kryeministrit. Ka ndodhur ndonjëherë që kur flet kryeministri të mos i jepet fjala opozitës? Kurrë nuk ka ndodhur! Që në këtë moment ke krijuar në ligj një kaos. Imagjinoni kur nuk është kryetari vjen zv/kryetari. Procesi i integrimit është meritë e të gjithë shqiptarëve, natyrisht gjithsecili në pozicionin e tij”, vijoi ai.

Berisha nuk ka lënë pa e ironizuar Ramën për çeljen e ekspozitës në Bruksel. “Dua ta përgëzoj, z.Rama për suksesin e ekspozitës në Bruksel. Përgëzimi ka një specifikë, pasi paraqiti hartat e Artan Lames dhe jo pikturat e tij, pasi do të na kishte turpëruar. Për herë të parë arriti t’i përmbajë ambiciet e tij. Druaj se ka vendosur edhe aty ndonjë pikturë. Ka shqiptarë sot të suksesshëm në pikturë në Evropë dhe botë.

Ai shkoi të hapte një ekspozitë në një nga qytetet e artit në Evropë dhe kuratori ia hoqi pikturat”, tha ai.
Gjithashtu, Berisha foli edhe për procesin e privatizimeve dhe atë të koncesioneve. “E ftoj z. Rama që të vizitojë hidrocentralin e Ashtës dhe t’u thotë shqiptarëve nëse më mirë është derdhja e ujit në Bunë apo prodhimi i energjisë elektrike për 100 mijë familje. Edhe për këtë ka qenë kundër. Ma mirë t’i shfrytëzojmë pasuritë ujore me konsension dhe të marrim taksa dhe të punësojmë njerëz. Deri tani, kryetari i Partisë Socialiste, lidhur me taksat ka vetëm një alternativë: shkatërrimin përfundimtar të sistemit fiskal të këtij vendi”, shtoi.

Lidhur me heqjen e taksave për biznesin e vogël, premtim i bërë nga Rama këto, Berisha tha se kjo sjell shkatërrimin e sistemit dhe rritjen e informalitetit. “Këto ditë deklaroi me paturpësi se do të hiqte taksat për biznesin e vogël. Nëse bie në shkallën e njohurisë tënde, kjo do të thotë se nuk ke njohuri elementare. Me këtë, do të krijosh shtetin e informalitetit në këtë vend. Shko dhe pyet Ferlutin dhe Koçon. Ato janë fundi i integritetit të sistemit, pasi janë 0.5%. Nëse heq, sistemi shembet. I them mos spekulo me këtë se edhe mund ta faktoj. Taksat kanë qenë 1 milion e 400 mijë lekë, ndërsa sot janë 670 mijë lekë. Më pak se gjysma. Biznesmenët nuk mund ta harrojnë kur ne dekretonim përgjysmimin e tyre”, vijoi.  /S.Ll/Start/

                                                                                             2012-09-24 14:28
   

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›