E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bashkëpunimi ekonomik dhe njohja e Kosovës, temat e diskutimeve

Zv/kryeministri Ilir Meta takohet me drejtues të Libanit

Gjatë vizitës zyrtare në Liban, Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme, Ilir Meta u takua me homologun e tij libanez Dr. Ali Hussein Al Chami.
Gjatë takimit, të dy homologët shkëmbyen mendime mbi rritjen e mëtejshme të bashkëpunimit dypalësh, i cili do të konkretizohet së shpejti me nënshkrimin e disa marrëveshjeve të rëndësishme në fushën ekonomisë me heqjen e taksimit të dyfishtë, nxitjen dhe mbrojtjen e investimeve, në fushën e kulturës, turizmit, mjekësisë, një protokoll të posaçëm bashkëpunimi mes Ministrive të Punëve të Jashtme, heqjen e vizave për pasaportat diplomatike dhe të shërbimit, si dhe mbajtjen e konsultimeve periodike diplomatike mes dy MPJ-ve.
Të dy ministrat ranë gjithashtu dakord për mbajtjen së afërmi të Komisionit të Përbashkët për Bashkëpunimin Ekonomik mes Shqipërisë dhe Libanit, me qëllim shtimin e numrit të investitorëve libanezë në Shqipëri.
Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme Ilir Meta e njohu homologun libanez me rolin në rritje dhe politikën konstruktive të Shqipërisë në rajon, veçanërisht pas anëtarësimit në NATO, ecurinë në procesin e integrimit evropian, si dhe pjesëmarrjen aktive në organizatën e Bashkimit për Mesdheun dhe Aleancën e Qytetërimeve, ku të dy vendet janë anëtare.
Ministri i Jashtëm i Libanit vlerësoi nivelin e bashkëpunimit dypalësh dhe garantoi për gatishmërinë e palës libaneze për nxitjen e tij të mëtejshme.
Dr. Chami e njohu homologun Meta me zhvillimet në Lindjen e Mesme dhe vlerësoi qëndrimin konstruktiv të Shqipërisë në favor të një zgjidhjeve paqësore të tij, në përputhje me angazhimin e komunitetit ndërkombëtar, rezolutat e OKB-se dhe qëndrimet e BE-së.
Zëvendëskryeministri dhe Ministër i Punëve të Jashtme u prit në Beirut nga Kryetari i Parlamentit të Libanit Nabir Berri, me të cilin bisedoi për rritjen e bashkëpunimit mes dy parlamenteve dhe shkëmbimit të vizitave të nivelit të lartë parlamentar.
Meta i kërkoi Berrit angazhimin e Libanit për njohjen e pavarësisë së Kosovës, në dritën e zhvillimeve të reja pas dhënies së opinionit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë e cila cilësoi se akti i shpalljes së pavarësisë nuk është në shkelje të së drejtës ndërkombëtare dhe të Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›