E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Akuzat e PS-së denigruese, po kërcënohen investimet e huaja”

Reagojnë investitorët kanadezë të “Stream Oil” ndaj akuzave të lëshuara nga deputetët e opozitës

“Deklaratat publike të kohëve të fundit rreth ‘Stream’ kanë qenë denigruese, të pabaza dhe mendoj që kërkojnë një sqarim po publik jo vetëm për të vënë gjërat në vendin e duhur por edhe për të dhënë një informacion të përgjithshëm për planet dhe qëllimet e ‘Stream’ në Shqipëri”.
Kështu ka deklaruar dje Dr. Sotirios Kapotas, President & Drejtor Ekzekutiv i “Stream Oil & Gas” Ltd, pas akuzave të ditëve të fundit nga drejtues të PS-së, në adresë të kësaj kompanie, si dhe të aksionerëve të saj.
“’Stream’ nuk është në Shqipëri për politikë por për të përmbushur angazhimet e saj në industrinë energjetike”, theksoi më tej Dr. Sotirios Kapotas, i cili saktësoi se që nga data 9 shtator 2009 deri në fund të qershorit 2010, “Stream” ka shpenzuar për operacione të ndryshme një shumë prej rreth 20 milionë dollarësh dhe planifikon që të arrijë në rreth 30 milionë dollarë deri në fund të këtij viti.
Duke vlerësuar se ndërgjegjja korporative si dhe imazhi publik është tepër i rëndësishëm për “Stream”, Presidenti dhe Drejtori Ekzekutiv i “Stream Oil & Gas” Ltd,shtoi se, “është kënaqësi dhe obligim i imi që të informoj të gjithë partnerët tanë rreth planeve të ‘Stream’, të cilat për shkak edhe të natyrës së operacioneve në Shqipëri, kanë impakt si në disa institucione shtetërore ashtu edhe në publikun Shqiptar”.
Në deklarimin e tij para mediave Dr. Sotirios Kapotas, bërin një prezantim të kompanisë që ai drejton.
“’Stream Oil & Gas’ Ltd është kompani publike kanadeze për prodhimin, zhvillimin dhe eksplorimin e naftës dhe gazit, e cila tregton në bursën e Torontos nën simbolin ‘SKO’. Kompania ka tregtuar në bursat kanadeze që në vitin 2005 dhe të gjitha informacionet rreth saj janë publike e lehtësisht të aksesueshme nga çdo person e në çdo kohë. Aksionet e ‘Stream’ mbahen dhe tregtohen nga aksionerët kryesorë globalë Amerikano Veriorë dhe Europiane si dhe klientët e tyre që përfshijnë (por nuk limitohen vetëm në) emra të njohur si: ‘Haywood Inc’, ‘JP Morgan, Jones& Gable’, ‘CIM Investments’, ‘Canaccord Capital’, ‘Scotia Capital’, ‘Muse Capital’, ‘TD Waterhouse Canada’”, etj, sqaroi Dr. Sotirios Kapotas.
Më tej Presidenti dhe Drejtori Ekzekutiv i “Stream Oil & Gas” Ltd, bëri një pasqyrë edhe të fillimit dhe vazhdimit të aktivitetit të kësaj kompanie në Shqipëri.
“Në vitin 2007, pas negociatave të gjata, ‘Stream Oil & Gas’ Ltd, që është dege 100 për qind në varësi e në pronësi të plotë të ‘Stream’ (Ishujt Cayman) firmosi një Marrëveshje Hidrokarbure me Albpetrol sh. s. dhe një Marrëveshje License për 25 vjet me Agjencinë Kombëtare të Burimeve Natyrore (AKBN) për të zhvilluar operacione në zonat e naftës Ballsh - Hekal, Gorisht - Kocul dhe Cakran - Mollaj si dhe në zonën e gazit në Delvinë. Marrëveshja Hidrokarbure i kërkonte ‘Stream’ që të angazhohej për një program investimesh minimumi 4.8 milionë dollarë për 18 muajt e parë të periudhës së vlerësimit, angazhim ky substancialisht më i madh se ajo që ishte kërkuar nga autoritetet shqiptare në marrëveshje e mëparshme të ngjashme. Procedurat për dhënien e koncesionit, janë bazuar në legjislacionin Shqiptar dhe kanë qenë të njëjta me ato që ishin dhënë më parë në këtë sektor. Marrëveshja me ‘Stream’, pavarësisht se për fusha prodhimi jo të rëndësishme, parashikonte përfitime më të mëdha nga ana e Autoriteteve Shqiptare në krahasim me marrëveshjet e tjera koncesionare. Për ta bërë më të qartë: marrëveshja parashikon që Albpetrol sh. s. dhe qeveria shqiptare të marrin 70 për qind të prodhimit para ekzistues të naftës, 2-6 për qind share royalty, 10 për qind taksë royalty mbi volumin e shitjeve, 50 për qind tatim mbi fitimin (shumë më e lartë se në çdo biznes tjetër në Shqipëri). Ndërkohë, bazuar në marrëveshjen, ‘Stream’ duhet të mbulojë të gjitha kostot e operacioneve, trajnimit te personelit, siguron paga më të larta për punonjësit si dhe mbulon kostot për mbrojtjen e ambientit”, vijoi në sqarimin e tij Presidenti dhe Drejtori Ekzekutiv i “Stream Oil & Gas” Ltd.
Përpos këtij angazhimi dhe shtrirje në Shqipëri, Dr. Sotirios Kapotas saktësoi se “Stream”, ka shlyer edhe të gjitha detyrimet ndaj autoriteteve shqiptare.
“’Stream’ ka paguar të gjitha obligimet, taksa dhe detyrimet tek autoritetet shqiptare dhe ky informacion është shprehur në deklaratat financiare të auditit që janë publike ashtu sikurse kërkohet për çdo kompani publike ndërkombëtare. Duhet theksuar që çdo përfitim nga shitjet e hidrokarbureve janë riinvestuar në Shqipëri së bashku me fondet e ngritura nga tregun publik që kanë konfirmuar edhe njëherë angazhimin e ‘Stream’ për të investuar në sektorin energjetik në Shqipëri. Edhe pse në kushte të vështira operacionale në zonat e marrëveshjes, ‘Stream’ ka arritur që në mënyrë të suksesshme të përmbushë e të tejkalojë angazhimet e marrëveshjes, një proces që është audituar dhe konfirmuar zyrtarisht nga AKBN. Kështu: që nga data 9 shtator 2009 (që është edhe data efektive e fillimit të operacioneve), deri në fund të qershorit 2010, ‘Stream’ ka shpenzuar për operacione të ndryshme një shumë prej rreth 20 milionë dollarësh dhe planifikon që të arrijë në rreth 30 milionë dollarë deri në fund të këtij viti”, u shpreh Dr. Sotirios Kapotas.
Dr. Sotirios Kapotas, President & Drejtor Ekzekutiv i “Stream Oil & Gas” Ltd, përmendi më tej se pjesë e angazhimeve të kësaj kompanie në Shqipëri, janë zbutja e problemeve sociale, në zonat ku ata punojnë. Pjesë e kësaj strategjie, është edhe një plan investimesh, të prezantuara para gazetarëve nga Dr. Sotirios Kapotas.
“Duke qenë sensibël ndaj fenomeneve apo problemeve sociale, kemi bërë të mundur, që të mbajmë një numër punëtorësh më të madh se ai që nevojitet për operacionet e ‘Stream’, në mënyrë që të mos ndihen efektet e të mos krijohet ndonjë problem social në zonë, veprim ky, i cili nuk është vlerësuar dhe përgëzuar nga askush deri më tani. Në vijim të përmbushjes së obligimeve qe rrjedhin nga një License Marrëveshje për 25 vjet, që prej disa muajsh ‘Stream’ i ka dorëzuar Autoriteteve Shqiptare Planet e detajuara të Zhvillimit që paraqesin në mënyrë të hollësishme angazhimet për investime në të gjitha zonat e operacioneve te programit të kombinuar të ‘Stream’, i cili parashikon shpenzime që shkojnë përtej 760 milionë dollarë të financuara nga burime kanadeze dhe ndërkombëtare si dhe nga shitjet e produkteve krudo. ‘Stream’ ka parashikuar investime shtesë substanciale për Bllokun e Eksplorimit të Gazit në Delvinë. Ju vë në dijeni, që ‘Stream’ ka firmosur një Memorandum me një kompani Europiane e cila parashikon shpenzime të kombinuara për Prodhimin e Energjisë nga Naftë Indigenoues që shkojnë në rreth 850 milionë dollarë”, sqaroi Dr. Sotirios Kapotas.
Për Presidentin & Drejtorin Ekzekutiv të “Stream Oil & Gas” Ltd, objektiv tjetër i kësaj kompanie në Shqipëri, është jo vetëm vazhdimin dhe rritjen e aktivitetit të tyre, por edhe tërheqja e investitorëve të tjerë të huaj.
“’Stream Oil & Gas’ është vetëm një prej kompanive publike nëpërmjet të cilave investitorët kanadezë dhe të huaj kanë investuar në sektorin e energjisë dhe naftës në Shqipëri prej disa vitesh tashmë. Një prej objektivave të ‘Stream’ është që të vazhdojmë rritjen dhe zgjerimin e kësaj industrie duke tërhequr edhe investitorë të tjerë të huaj të cilët shohin Shqipërinë shumë pozitivisht. është në të mirën e saj që të mos e humbë këtë moment të favorshëm, por ta përqafojë atë në mënyrë që të zhvillojë edhe më tej sektorë të tjerë sociale e ekonomikë. Ne besojmë që partnershipi ynë do të jetë i suksesshëm duke bërë të mundur që Shqipëria të përfitojë nga rritja e investimeve, punësimit, futja e teknologjive të reja moderne duke arritur standarde të larta ndërkombëtare”, sqaroi Dr. Sotirios Kapotas.
Duke ju rikthyer qëllimit të daljes publike, Dr. Sotirios Kapotas sqaroi se si kompani nuk do të lejonin fyerjet dhe denigrimet e pandershme dhe keqdashëse. Duke ju kërkuar drejtuesve të PS-së, të tërheqin deklaratat e tyre të pabaza, Dr. Sotirios Kapotas, bëri të ditur se janë njoftuar edhe autoritetet kanadeze, të cilat do të ndërhyjnë nga ana e tyre.
“Megjithatë, si një Kompani Publike Kanadeze, ne operojmë nën rregulla shumë strikte për të mbrojtur interesat e investitorëve tanë dhe për t’i bërë ata të ndjehen mirë për investimet e tyre në Shqipëri. Në këtë mënyrë, “Stream”, nuk mund të tolerojë që të kritikohet në mënyrë fyese, denigruese e të pandershme, të lejojë informacione të pasakta
dhe keqdashëse rreth kompanisë. Duke parë sulmet publike të kohëve të fundit të bëra në adresë të kompanisë sonë, kemi informuar autoritetet kanadeze dhe kemi kërkuar që ato të ndërmarrim hapat e nevojshme për të mbrojtur të drejtat e investitorëve tanë. Ne shpresojmë që para çdo hapi legal ose ndonjë veprimi tjetër, burimet përkatëse do të
tërheqin deklaratat keqdashëse dhe faktet e pavërteta rreth kompanisë sonë pasi çdo informacion është publik për çdokënd, në çdo kohë në Bursën e Kanadasë.
Përfshirja e Autoriteteve të Qeverisë Kanadeze që do të mund të çonte edhe në veprime legale gjë që do të rrezikonte trendin pozitiv të investimeve, apo të çonte në mos dëshirën e investitorëve për të vazhduar të investojnë në Shqipëri, duke sjellë impakt dramatik jo aq për kompaninë në vetvete se sa për ekonominë Shqiptare. Do të doja te pyesja që si Qeveria Shqiptare ashtu edhe Opozita të na bëjnë me dije publikisht nëse: investitorë si ‘Haywood’, ‘JP Morgan’, ‘CIM’, ‘TD securities’, etj, që kanë investuar miliarda dollarë në projekte të tilla energjetike në të gjithë botën (që kanë zgjedhur të investojnë në Shqipëri, duke mbajtur kontrollin kryesor të ‘Stream’) janë ose jo të mirëpritur që të vazhdojnë të investojnë në Shqipëri? Shpresoj gjithashtu që si Shkëlqesia e tij Kryeministri ashtu edhe lideri i opozitës të ndërmarrin hapat e nevojshme për të ndaluar këto akuza të pambështetura kundër kompanisë sonë e që mund të ketë impakt negativ në tregun ndërkombëtar duke sjellë jo vetëm humbje financiare por edhe humbjen e qindra vendeve të punës të ‘Stream’ në Shqipëri”, u shpreh më tej Dr. Sotirios Kapotas.
“’Stream’ është një kompani publike, nuk ka asnjë afiliacion politik, është në Shqipëri për të përmbushur angazhimet e saj si dhe për të zhvilluar vlerat e përbashkëta në industrinë energjetike, në mënyrë që t’i tregojnë botës potencialin e vërtetë të këtij vendi. ‘Stream’ do të vazhdojë të rrisë reputacionin e Kompanisë duke punuar në mënyrë korrekte e transparente”, përfundoi deklaratën e tij, Dr. Sotirios Kapotas, President & Drejtor Ekzekutiv i “Stream Oil & Gas” Ltd.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›