Pse nuk ndërhyn Komiteti Shqiptar i Helsinkit në mbrojtje të integritetit të deputetes Albana Vokshi?
Në verën e nxehtë dhe me re të Shqipërisë, ashtu siç kishim parashikuar, kemi një fabrikë që nuk shkon me pushime, por që prodhon “produktin” me ritme frenetike: është “fabrika e baltës” edviniane që nëpërmjet përdorimit të medieve dhe me abuzimin e shifrave prodhon fakte-helmuese për kundërshtarët.
Ka disa ditë që uzina socialiste sulmon pa fre deputeten demokrate, Albana Vokshi. Plot pesë deputetë, i fundit Bare, janë angazhuar për të prodhuar një flluskë mediatike kundra maxhorancës dhe shënjestra e tyre është morali i deputetes Vokshi dhe jo nëse ajo ka shkelur ligji. Ligja nuk është shkelur nga deputetja Albana Vokshi, dhe nëse PS ka fakte të patjetërsueshme, t’i çojë në Prokurorinë e Republikës së Shqipërisë, që drejtohet nga Znj. I. Rama. Prandaj çdo popull opozitar ka opozitën që meriton. Dita-ditës kjo shprehje po bëhet vërtet aktuale. Deputetja demokrate Albana Vokshi ka sqaruar publikisht se në rast se vërtetohet e kundërta është e gatshme të heqë dorë nga mandati i saj i deputetes.
Besniku i Ramës, Bare i dyti në grafik, pas Vasi Hysit, ka kopjuar hartimin lexuar nga kolegët e tij, qysh prej një jave, ku me 3 turne po hedhin baltë mbi figurën e deputetes demokrate.
Refreni në “Emër të Partisë socialiste” me fakte kafenesh është bërë një lloj si në ato filmat mediokër ku personazhi heroik komunist vret armikun në “Emër të Popullit.... je i dënuar”. Bile socialistë kanë filluar t’u bëjnë llogaritë qytetarëve të ndershëm të republikës, duke u thënë se sa vlejnë aksionet po të shiteshin në bursë, apo sa vlerësohen ato. Partia Socialiste kërkon të rikthejë moralin e “gjyqit popullor” duke shastisur opinionin publik me deputetë e deputete të angazhuar që të përcjellin produktin e uzinës. Atrofizimi i rolit të opozitës dhe personalizimi i opozitës si prokurori komuniste që sajon akuza dhe prova kurrë nuk ka qenë në nivele më të larta sesa sot. Opozita është në regres, sepse sot ajo ngjan me një prokurori speciale jakobine.
Sidoqoftë gjëja më e rëndë që ndodhi në këtë verë të nxehtë është se edhe Vasilika Hysi, ish-kryetare e Komitetit Shqiptar të Helsinkit, që mbron të drejtat e njeriut duke harruar prezumimin e pafajësisë, jo vetëm që kërkon imunitetin e deputetes Vokshi, por bën killerazh verbal. Një parti opozitare e hutuar pa kokë siç është, me një grafik ordiner dhe pa perspektivë politike, ky është produkti i infektuar i Komitetit socialist të Helsinkit, i cili ka një ish-drejtuese jo që nuk bën avokatinë e të Drejtave të Njeriut, por është çerdhe e prokurorisë politike socialiste.
Vasilika Hysi i ka flakur parimet e Forumi për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive Themelore të Njeriut duke blerë në tregun e zi togën e prokurorisë. Edhe istrioni më i mirë i këtij vendi (lëre më pastaj ata të zakonshmit) mbetet aktor jo fort i gdhendur i vendit më të varfër e të prapambetur përballë gjetjeve foljore të Vasi Hysi, e cila konfirmon ligjësinë e dhuntive të poshtra të njeriut që rri e rritet në terr. Znj.Vokshi nuk ka mundur të deklarojë pasurinë e bashkëshortit të saj, sepse ajo nuk është e martuar, por bashkëjeton. Edhe gurët e kanë kuptuar se mungesa në legjislacionin shqiptar e rubrikës për deklarimin e pasurisë për partnerët bashkëjetues, e ka bërë të pamundur deklarimin nga ana e saj, të pasurisë së zotit Arian Tartari. Ky i fundit është një biznesmen i respektuar që e ka filluar sipërmarrjen e tij qysh në vitet 1992. Zoti Tartari nuk ka imunitet. Dhe jo të pakta kanë qenë raste që z.Tartari e ka zhvilluar veprimtarinë e tij në mënyrë korrekte edhe kur në pushtet ishte Partia Socialiste.
Aneksi i propozimit miqësor/Zonja Hysi, bëhuni shembull për të gjithë: nëse konsideroni se jeni dhe do të mbeteni e pastër, dorëzojeni ju e para imunitetin dhe ftoni që të gjithë deputetët vullnetarisht ta ndjekin shembullin tuaj personal. Pastaj, të shohim se cilët do t’u ndjekin në këtë iniciative ku mund të sfidohet ndershmëria e secilit. Uroj që së paku t’Ju mbështesin kolegët nga krahu juaj politik.