Bashkëqeverisja mes së majtës dhe së djathtës, vetëm në raste krizash
Që nga qeveria e stabilitetit me Ylli Bufin kryeministër deri më 28 qershor. “Transfuzioni” i votave dhe deputetëve dhe roli i tyre në krijimin e qeverisë
Habjon Hasani
Tiranë - Për herë të parë që pas vitit të dhunshëm 1997 qeveria që pritet të krijohet do të jetë një qeveri në të cilën do të bashkëjetojnë të majtë e të djathtë së bashku. Por, ndryshe nga rastet e ngjashme të ndodhura më parë, këtë lloj qeverie nuk e ka imponuar kriza, praglufta civile apo realiteti i tensionuar shoqëror. Kësaj here rregullat i kanë caktuar votat e shqiptarëve dhe vetë Kodi Zgjedhor, të cilat imponuan medoemos bashkimin e koalicioneve për të nxjerrë një qeveri. Historia e zgjedhjeve shqiptare të pas vitit ‘90 ka qenë shumë aktive dhe me të papritura sa emocionuese, aq edhe shokuese. Dhunë ndaj komisionerëve, ndaj kandidatëve për deputetë, madje dhe ndaj kutive të votimit; kjo ka qenë pak a shumë pasqyra e historisë zgjedhore shqiptare në një sistem demokratik.
Më 31 mars 1991 në Shqipëri u mbajtën zgjedhjet e para parlamentare. Partia e Punës sërish mbajti kontrollin në Kuvendin Popullor, duke fituar 169 vende nga 250, përderisa opozita fitoi 65 vende. Kryetar shteti, me shumicë votash në Kuvend, ku mbizotëronin komunistët, u zgjodh Ramiz Alia, ndërsa kryeministër Fatos Nano. Mirëpo këto zgjedhje në opinionin ndërkombëtar nuk ishin edhe aq demokratike, pasi Partia e Punës u akuzua nga Partia Demokratike për manipulimin e zgjedhjeve.
Ndërrimi
Kjo qeveri, pasi mori detyrën, mbështetur në dispozitat kryesore kushtetuese, ndërroi emrin e shtetit nga Republika Socialiste Popullore e Shqipërisë në Republika e Shqipërisë. Ajo u njoh si një shtet me sistem parlamentar, e cila ofronte të drejta të plota për të gjithë shtetasit, si dhe u vendos që Kuvendi Popullor të kishte gjithsej 140 deputetë me një mandat 4-vjeçar. Mirëpo dukuritë negative që ndodhën, jo-stabiliteti politik dhe akuzat që mori qeveria nga opozita bënë që Europa Perëndimore dhe SHBA-të ta kritikonin ashpër Shqipërinë. Ndërprerja e një pjese ndihmash paralizuan ekonominë e Shqipërisë, ngjarje kjo që pati ndikim edhe në politikë. Duke i parë rrethanat në vend, Nano dhe i gjithë kabineti i tij dhanë dorëheqjen. Pushteti kaloi te Qeveria e Stabilitetit me kryeministër Ylli Bufin, e cila u krijua me koalicion nga partitë parlamentare dhe nga ato joparlamentare. Qeveria e Stabilitetit, e kryesuar nga Ylli Bufi, jetoi nga 11 qershori 1991 deri më 6 dhjetor 1991. Kjo qeveri erdhi si rezultat i grevës së përgjithshme të punonjësve të vendit. Pas gjashtë muajsh mbijetesë të qeverisë “Bufi” erdhi qeveria teknike e Vilson Ahmetit, e krijuar më 18 dhjetor 1991 dhe e mbijetuar deri më 13 prill 1992. Ahmeti ishte ish-ministër në kabinetin “Bufi”. Kjo qeveri krijohet pas mosfunksionimit të kabinetit “Bufi” për shkak të konflikteve mes palëve.
Mandatet
Pas ndërrimit të sistemit, falë bashkëqeverisjes mes së majtës dhe së djathtës, kjo e fundit mori mandatin e parë qeveritar në vitin 1992 dhe kryeministër u caktua Aleksandër Meksi, i cili qëndroi si i tillë deri në vitin 1996. Kjo qeveri erdhi pas zgjedhjeve të reja të 22 marsit 1992 dhe ardhjes në pushtet të forcave vetëm të djathta, me një diferencë plebishitare. Kjo qeveri pësoi tri herë ndryshime; më konkretisht u riformatua nga 13 prill 1992 – 6 gusht 1993, nga 7 gusht 1993 – 3 dhjetor 1994 dhe nga 4 dhjetor 1994 – 10 korrik 1996. Mandati i dytë qeveritar i Aleksandër Meksit erdhi më 11 korrik 1996 – deri më 1 mars 1997. Kjo qeveri erdhi pas zgjedhjeve të përgjithshme të 26 majit ’96, ku e djathta sërish ruajti pushtetin, por me një kosto fatale, pasi opozita denoncoi dhunimin e hapur të votave të saj. Aq tension solli kjo përplasje, saqë vetëm disa muaj më vonë lindi nevoja e krijimit të një Qeverie të Pajtimit Kombëtar, pasi populli u ngrit në revoltë pas rënies së skemave piramidale, por edhe pas dhunimit flagrant dhe arbitrar të votës së opozitës. Kjo solli krijimin e Qeverisë së Pajtimit Kombëtar, e kryesuar nga z. Bashkim Fino, 11 mars ’97- 24 korrik ’97, një tjetër qeveri kjo ku prezente ishin si votat e së majtës, ashtu dhe të së djathtës. Trazirat kishin përfshirë gjithë vendin. Nuk kishte mbetur depo armësh pa u grabitur. Burgjet nuk ekzistonin. Ishte një rast unikal! Në kulmin e kaosit, TVSH-ja njohu popullin me kryeministrin e ri. Ai është Bashkim Fino, 35 vjeç, ish-kryetar i Bashkisë së Gjirokastrës. Shqipëria e njohu vetëm kur u pagëzua kryeministër.
Pas Meksit, që ishte i rrallë para kamerave, zoti Fino u bë personazhi më i pëlqyer i ekranit të vogël. Për masmedian elektronike italiane, greke, franceze, amerikane, angleze gati-gati Bashkim Fino u kthye në një njeri shumë popullor!
Kthesa
Një ndarje e madhe brenda Partisë Demokratike nga grupi i politikanëve të quajtur më pas aleancistët; grupimi që shkaktoi skizmën e parë në PD dhe që e konsideronin veten ajka e vërtetë e PD-së, ose PD-ja origjinale. Ceka, Imami, Zogaj, Pashko, Ngjela e Peshkëpia ishin emrat impresionues, të cilët duke shfrytëzuar edhe sharmin e tyre të lartë intelektual, përçuan idenë se do ta sfidojnë PD-në e Berishës dhe vetë atë për paudhësitë që po shkaktonte brenda partisë, duke i tharë demokracinë e brendshme, si dhe gjatë qeverisjes. Në kapërcimin e tyre disa e ruajtën një ekuilibër në politikëbërje, si për shembull Zogaj apo Arben Demeti, ndërsa disa të tjerë, si Ceka, Imami apo Peshkëpia, luajtën me maksimumin e mundshëm anti-Berishë.
Në ‘97-n pamjet e TVSH-së tregonin Neritan Cekën duke mobilizuar turma nxënësish për t’i nxjerrë në protesta kundër regjimit të Berishës, ndërsa Imami e Peshkëpia tregoheshin dhe akuzoheshin si prijës të rebelëve të armatosur në Jug të vendit. Por ja që “ylberi” njeh dhe kthimin mbrapa dhe sot Imami dhe Ceka janë në krah të Berishës më fort se kurrë më parë. Neritan Ceka është një ndër të parët që është përballur me largimin nga Partia Demokratike për shkak të përplasjeve me kryetarin e saj.
Largimet
Në vjeshtë të 1992-shit fillon edhe historia e largimeve nga kampi blu. Në listën e grupit të mocionistëve u renditën emra të spikatur të asaj kohe, si Neritan Ceka, Arben Imami, Gramoz Pashko, Preç Zogaj, Teodor Keko, Arben Demeti dhe Perikli Teta. Qëllimi i largimit të Neritan Cekës dhe grupit ishte mungesa e lirive brenda partisë, mospranimi i mendimit ndryshe dhe mungesa e konkurrencës së lirë. Pengesa e fjalës së lirë dhe përplasjet e njëpasnjëshme me kryetarin e Partisë Demokratike sollën largimin e radhës në kampin blu. Genc Ruli ishte figura tjetër që doli jashtë PD-së, për t‘u rikthyer në prag të zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare të 2005-s. Në fushatën e 2005-s, PD-së iu afruan Genc Ruli, Arben Imami, Preç Zogaj, Ferdinand Xhaferaj dhe Leonard Demi. Por ajo që u vu re është fakti se këto mbeten figura që nuk përfaqësohen në strukturat e larta drejtuese të PD-së.
Përveç Genc Rulit, i cili është anëtar i Kryesisë së Partisë Demokratike dhe aktualisht mban postin e ministrit të Ekonomisë dhe Energjetikës, të tjerët janë thjesht anëtarë të Grupit Parlamentar.
Arben Imami, i cili nuk arriti të bëhej deputet, mban postin e drejtorit të Kabinetit të kryeministrit. Fenomeni Spartak Ngjela ka kaluar nga PD-ja tek Aleanca, më pas te Legaliteti, sërish te PD-ja e sot është në pozita divorci me këtë parti dhe kryetar i partisë “Ligj dhe drejtësi” që nuk mundi të siguronte dot asnjë mandat më 28 qershor 2009.
Hemorragjia 2
Pas humbjes së pushtetit në vitin 1997, dy vite më vonë Partia Demokratike u përfshi nga një valë e dytë largimesh që për pak sa nuk krijoi rrëzimin pa kushte të kryetarit të saj historik, Sali Berisha. Largimi i Genc Pollos dhe Tritan Shehut nga PD-ja tronditi kampin blu nëntë vjet më parë, megjithëse Berisha arriti të ruajë mirë ekuilibrat dhe të mos e dëmtojë partinë nga largimi i ish-zëdhënësit të saj.
Në vitin 1999 ndodh rrjedhja më e rëndësishme në radhët e PD-së. Këtë vit nga PD-ja vendosën të largohen anëtarët e Lëvizjes Reformatore brenda partisë, lëvizje kjo që u drejtua nga Genc Pollo. Në këtë mënyrë nisën një seri largimesh nga partia, që solli krizën e opozitës pas vitit të mbrapshtë 1997. Genc Pollo, Tritan Shehu, Ferdinand Xhaferaj, Nard Ndoka, Jak Ndokaj, Leonard Demi, Ilir Berzani, Sajmir Curri, të cilët krijuan Partinë Demokrate të Re, “i dhanë duart” Partisë Demokratike, duke marrë me vete shkelmat dhe dyert e mbyllura të ish-deputetëve të vitit 1999. Edhe ky grup, ashtu si Aleanca Demokratike, e arsyetoi largimin me mungesën e konkurrencës së ndershme brenda partisë. Aktualisht, PDR është integruar brenda Partisë Demokratike, nëntë vjet pas “divorcit” me Sali Berishën. Takimi i kryeministrit Berisha me ministrin e tij Pollo ishte edhe hapi i parë i shkrirjes së PDR-së. Nëntë vjet më parë Berisha e cilësoi Pollon si agjent grek, ndërsa pak muaj më parë i shtrëngoi dorën, duke i hapur publikisht derën e partisë, nga e cila e dëboi me ceremoni nëntë vjet më parë. "Nuk mund të injorohet, se si vit elektoral që është, kjo përbën një prerogativë shumë të rëndësishme, gjithashtu edhe për suksesin në zgjedhjet e ardhshme për koalicionin aktual qeverisës", - theksoi Berisha në takimin e mbajtur mes tyre për ribashkimin.
Kapaku
Deputeti Genc Pollo, njëkohësisht zëvendëskryeministër i vendit, është shprehur se divergjencat e vitit 1999-2001 janë një periudhë e lënë pas dhe një kapitull i mbyllur, duke lënë të kuptohet se asaj historie i është vënë “kapak”. "Bashkëpunimi i filluar pas 2001-shit dhe sidomos fazat e tij të bashkëpunimit elektoral të aleancave parazgjedhore në 2005-n, koalicioni politik qeveritar në tri vitet e tij, ka dëshmuar një qëndrueshmëri shumë të fortë, ka realizuar një pikëpamje që gjithmonë kanë qenë të përbashkëta për partitë tona", - tha Pollo në momentin e nënshkrimit të marrëveshjes së trupëzimit me PD-në. Numri dy i qeverisë theksoi se propozimi për bashkimin e PDR-së me PD-në ka ardhur nga Sali Berisha. "Jemi këtu për ta konfirmuar dhe për të hapur procesin e funksionimit të dy partive, një proces që është përshëndetur, përkrahur ndoshta dhe asistuar edhe nga PPE, ku dy partitë tona aderojnë, të cilat janë anëtare të Partisë Popullore Europiane", - tha ai.
Ylberi
Në zgjedhjet e vitit 2005 Xhuveli dhe Dule kanë shpëtuar maxhorancën e së djathtës. Pas ankimimeve të deputetëve socialistë në vitin 2005 pranë Kolegjit Zgjedhor u pa qartë se pse Berisha ngulmonte te futja në koalicion të dy ish-aleatëve të PS-së, të cilët i sollën me vete 6 vota të vyera në Parlament. Tri zona elektorale ishin në rivotim dhe një e katërt priste të marrte një vendim në KQZ. Socialistët ishin optimistë për të fituar në të gjitha këto zona, por i vetmi që ia doli ishte Kastriot Islami. Nëse 6 votat e PAA-së dhe PBDNJ-së nuk do të kalonin në krah të PD-së, diferenca mes të majtëve dhe koalicionit të djathtë mund të ishte, në rast fitoreje të së majtës më 21 gusht 2005, pra vetëm me një ose dy deputetë më shumë. Pak para përfundimit të zgjedhjeve të vitit 2005 Kuvendi ishte i ndarë në 78 deputetë për maxhorancën e djathtë, 59 partitë e majta, ndërsa 3 zona u lanë në rivotim dhe rivotimi i nxori demokratët fitues. Të majtët shpresonin që të rivotohej edhe në një zonë të pestë elektorale, atë me numër 71, ku kandidonte Myzelejen Hoxha (PS) dhe Fatos Beja (PD). Kolegji Zgjedhor e mbylli këtë kapitull duke konfirmuar fitues Fatos Bejën. Megjithëse plani i PS-së kishte shumë pikëpyetje, ata vazhduan të përpiqen për të krijuar një situatë bllokuese në Kuvend. Por koha tregoi që Berisha e dominoi Kuvendin, madje në momentin e zgjedhjes së presidentit ai mundi të rrëmbente pesë vota nga Grupi Parlamentar socialist, duke zgjedhur president kreun e Grupit të tij Parlamentar, Bamir Topi. Sot Berisha sërish ka gjetur dominimin në Kuvend, duke bashkëqeverisur me votat e LSI-së, e cila konkurroi sërish e vetme në zgjedhje, edhe pse eksperienca e vitit 2005 tregoi se LSI-ja nuk është një forcë që mund të nënvleftësohet kollaj.
8 Korrik 2009