Tiranë, i mituri 8-vjeçar rrëfen abuzimet seksuale të dy anglezëve
TIRANE – Trupa gjykuese e dosjes në ngarkim të Dino Christodolou dhe Robin Arnold, të akuzuar për abuzime seksuale me të mitur, dëgjoi seancën e djeshme një tjetër dëshmi rrëqethëse të një 8-vjeçari. I mituri me iniciale F.H., tregoi përpara gjykatës se si ishte ngacmuar seksualisht dhe dhunuar nga njëri prej të akuzuarve, Dino Christodolou, gjatë qëndrimit të tij në qendrën “Fëmijët e tij”. Me dëshminë e tij i mituri ka rënduar së tepërmi pozitat e të pandehurit Christodolou në proces, ndërsa nuk ka pohuar që të njëjtat veprime t’i kishte kryer me të edhe i pandehuri tjetër. Seanca e djeshme u zhvillua në ambientet e Gjykatës së Krimeve të Rënda, për shkak të pajisjeve për video-konferencë në këtë gjykatë. Ndërsa ka qenë me dyer të mbyllura, i mituri ka qëndruar në një sallë tjetër përpara një telekamere, për të shmangur në këtë mënyrë përballjen e tij me dy të pandehurit. Në praninë e një psikologeje, i mituri i është përgjigjur pyetjeve të gjykatës dhe të palëve. Burime brenda sallës së gjyqit pohuan se 8-vjeçari tregoi me detaje se si ngacmohej seksualisht nga Dino Christodolou. Edhe pse vetëm 4 vjeç në atë kohë, ai ka pohuar dje se Dino e prekte në vendet intime. I mituri ka treguar për gjykatën se i pandehuri Dino e kapte me pinca në organin gjenital. Gjithashtu ai është shprehur se i pandehuri Christodolou, një nga punonjësit e fondacionit “Fëmijët e tij”, i kishte hedhur vaj në trup. Bëhet e ditur se disa seanca më parë ka dëshmuar motra e dëshmitarit të djeshëm, e cila ka mohuar faktin që me vëllain e saj të mitur të ishte abuzuar. Në seancën e djeshme ka dëshmuar edhe një person i cili kishte punuar si përkthyes i anglishtes në fondacionin “Fëmijët e tij”. Sipas tij, ai angazhohej si përkthyes i David Brown, kur ky lëvizte jashtë Tiranës dhe se nuk kishte asnjë dijeni mbi abuzimet seksuale në qendër. Greko-anglezi Dino Christodoulou dhe skocezi Robin Arnold u arrestuan në Britani dy vjet më parë për llogari të drejtësisë shqiptare dhe u ekstraduan në Shqipëri në maj të vitit 2008. Ata akuzohen si bashkëpunëtorë të David Brown, në abuzimin seksual me të miturit e qendrës “Fëmijët e tij”. ar.ba