E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pekin, 1434 të arrestuar pas dhunës kundër ujgurëve

 

Policia kineze ka arrestuar 1434 persona në lidhje me dhunën etnike që shpërtheu në rajonin perëndimor Xinjiang, ku mbetën të vdekur 156 veta. Lajmi u bë publik nga agjencitë kineze të lajmeve. Policia dhe forcat paraushtarake e kanë marrë gjendjen nën kontroll, megjithëse shërbimet e telefonisë celulare janë bllokuar dhe lidhjet në internet janë ngadalësuar. Protesta të reja kanë shpërthyer në qytetin Urumqi në perëndim të Kinës, dy ditë pasi mbi 150 vetë humbën jetën në përleshjet mes grupeve etnike dhe policisë. Sipas BBC, qindra protestues ujgurë u konfrontuan me forcat speciale të policisë kineze në rrugët e Urumqit. Përleshjet mes ujgurëve, që përbëjnë shumicën e popullsisë dhe kinezëve etnikë në Xinjiang shpërthyen të dielën. Trazirat thuhet se janë pasojë e zemërimit që shkaktoi në mesin e popullatës së atjeshme vdekja e dy migrantëve ujgurë gjatë një grindje në një fabrikë të prodhimit të lodrave në jug të Kinës. Agjencia zyrtare e lajmeve “Hsinua” thotë se tani janë arrestuar 15 persona në lidhje me grindjen që ndodhi në Shaoguan në provincën e Guangdong-ut. Ajo kishte pasuar publikimet në internet të pretendimeve se punëtorët ujgurë të fabrikës kishin përdhunuar dy gra kineze. Udhëheqësit ujgurë në azil kanë hedhur poshtë akuzat e autoriteteve kineze se nxitën dhunën dhe po përpiqen që ajo të përhapet dhe në pjesë të tjera të rajonit. Sipas një korrespondenti të rrjetit BBC në vendngjarje, në rrugë shiheshin skena të jashtëzakonshme. “Qindra gra, të moshuara dhe të reja, mes tyre dhe burra, kanë dalë në rrugë dhe po marshojnë drejt forcave të armatosura të policisë popullore (kineze). Qindra policë po i presin me pompa uji. Ata janë të armatosur me armë zjarri, por kanë edhe shkopinj gome. Ata po u thonë protestuesve të kthehen në shtëpi”, citon BBC korrespondentin. “Ujgurët nga ana e tyre po bërtasin: Duam liri, duam të na ktheni njerëzit tanë”, ka shtuar. Forcat speciale të policisë kineze kanë përdorur pompat e ujit dhe gazin lotsjellës në përpjekje që ta vendosin situatën nën kontroll.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›