E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bashkëvjedhja, korrupsioni shqiptar

"Askush nuk beson se ç‘thua për veten. Lëri të tjerët të flasin për ty", kjo shprehje është një prej thënieve që bën pjesë në përvojën tonë popullore, apo në moralin tonë popullor, nëse për fjalën përvojë, do të përdornim fjalën latine moral, mores.
Megjithëse thënien e mësipërme e dimë të gjithë, ditë për ditë në TV, pranojmë e dëgjojmë qeverisësit tanë të na thonë, se sa mirë e qeverisin vendin, sa i begatë bëhet vendi dhe sa të lumtur e ndiejnë veten njerëzit nën qeverisjen e tyre. Kushdo tjetër, që flet për të kundërtën, cilësohet se nxin realitetin, se është në shërbim të kundërshtarëve politikë të qeverisësve tanë, se është armik i Shqipërisë dhe i shqiptarëve. Kjo formë informimi, të paktën, që nga çasti i përmbysjes së diktaturës së proletariatit në Shqipëri, duket se ka krijuar një përvojë të re: të keqe; pra një moral të ri të keq, në kushtet e shoqërisë së hapur.
Por, ndaj kësaj përvoje të keqe qeverisëse, ndaj këtij morali të keq qeverisës, duket se herë pas here, dalin zëra që na shkundin e na tregojnë ne shqiptarëve, se çështjet e përvojës qeverisëse, të moralit qeverisës, janë të rëndësishme në shoqërinë e hapur. Ky është edhe rasti i raportit të fundit mbi korrupsionin në Shqipëri, i cili vuri në dukje se korrupsioni, pra bashkëvjedhja po të përkthenim në shqip fjalën latine corubare, është i pranishëm dhe shumë i madh në të tre pushtetet e qeverisjes në vend.
Raporti na gjeti në kohë që qeverisësit tanë flasin ditë për ditë në TV, për punën e tyre, plot sukses dhe me tolerancë zero ndaj korrupsionit, ndaj bashkëvjedhjes. Flasin e flasin, që ne të besojmë fjalët që ata thonë për punën e tyre të mirë. Flasin e flasin, sipas parimit të propagandës ideologjike, se dielli mund të mbulohet me shoshë.
Që ka korrupsion, pra që të bashkëvjedhë, do të thotë se ka njerëz që bien dakord për të vjedhur si edhe mall për ta vjedhur atë bashkërisht.
Cili është malli në Shqipëri drejt të cilit sulen bashkëvjedhësit, duke folur çdo ditë në TV kundër bashkëvjedhjes, sipas parimit "hajduti kapeni hajdutin"?
Në radhë të parë është baza ekonomike e Shqipërisë, e cila përbëhet nga prona shtetërore dhe private, tregu i lirë dhe iniciativa e lirë ekonomike (shiko nenin 11 të Kushtetutës).
Dorë për të vjedhur në bazën ekonomike të Shqipërisë nuk mund të vërë kushdo. Atë mund ta realizojë vetëm ai që shkon në pushtet, me qëllim tjetërsimin e pasurive në favorin e vet (vini re investimet në para që vënë kandidatët për deputetë në Kuvendin e Shqipërisë).
Rastet e vjedhjes të pronës shtetërore janë të përditshme në gjykatë. Rastet e vjedhjes së pronës private, janë bërë çështje që kanë futur sherr në familjen shqiptare, me pasojë përçarjen e vendit.
Nëse do të flasësh për rregulla të tregut në Shqipëri, të akuzojnë për komunist, sepse tregu konceptohet i lirë deri në shqyerje, paçka se Europa e Bashkuar ka në themel rregullimin e Tregut të Përbashkët për qymyrin, hekurin dhe energjinë.
Për iniciativën e lirë ekonomike, më vjen ndër mend një emigrant shqiptar që kam takuar në Greqi. Punonte bujk. Më tha se në vend të tij, ishte më i pasur se punëdhënësi grek, por në Shqipëri puna e ndershme nuk ka duk. Askush beson, tha ai, se me punë të ndershme mund të shpëtosh nga varfëria në Shqipëri.
Në një fshat të Tiranës pyeta dy vëllezër për murin e lartë ndarës që kishin ngritur mes dy shtëpive të tyre të reja, pranë e pranë. Nga kusarët më thanë, duke parë njëri-tjetrin në sy. I gjeta gafil. Ndoshta më thanë një gjë që nuk duhej. Në murin e tyre dukej edhe material i ricikluar, i vjedhur diku tjetër. Pastaj, me treguan këtë histori: "Dy vëllezër kusarë, një ditë në bar, thirrën një njeri të tyre për ta votuar në pushtet. I thanë se do të votojmë, me kusht që në pushtet, ai të grisë letrat, sa herë që ata paditen si kusarë. Dakord, tha njeriu i tyre, por me kusht që edhe ju të më lini të vjedh". Kjo është bashkëvjedhja shqiptare (korrupsioni shqiptar) në kushtet e përvojës, moralit të keq qeverisës, të cilën s‘ka shoshë politike që ta mbulojë, me ngjyrë të kuqe a blu.
Korrupsioni, bashkëvjedhja në Shqipëri, është qeverisës dhe ashtu si të gjitha krimet e tjera në një shoqëri në anomi (anomi, mungesa e moralit shoqëror) luftohet vetëm nëpërmjet edukimit, pra të rritjes, arsimimit dhe formimit tonë qytetar, që në pushtet të mos dërgojmë njerëz për të mbuluar vjedhjet tona dhe të tyre.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›