Bashkia: Do t'i drejtohemi Kushtetueses
Komisioni për Ramën
Ngritja e Komisionit Hetimor Parlamentar ndaj kryetarit të bashkisë, Edi Rama, për procedurat e dhënies së lejeve të ndërtimit është cilësuar nga Bashkia e Tiranës e jashtëligjshme dhe antikushtetuese. Drejtoresha Juridike e Bashkisë së Tiranës, Migena Vishko, gjatë një deklarate tha se për këtë arsye bashkia duhet t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese. “Pasi kam shqyrtuar kuadrin ligjor të Republikës së Shqipërisë mbi të cilat ngrihen komisionet hetimore parlamentare, rezulton se komisioni parlamentar është i jashtëligjshëm dhe antikushtetues dhe nuk mund të prodhojë asnjë pasojë ligjore”.Ajo shtoi më tej: “Ngritja e komisionit vjen në kundërshtim të plotë me nenin 4, pika 6 të ligjit nr. 8891, datë 02.05.2002 për “Organizimin dhe funksionimin e komisioneve hetimore të Kuvendit, i cili përcakton se këto komisione nuk mund të ngrihen 4 muaj para mbarimit të afatit të mandatit të parlamentit”. Duke shpjeguar juridikisht ligjin ajo theksoi: “Ky komision është në kundërshtim të plotë me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë dhe parimet themelore të sanksionuara në të, duke përfshirë parimin e ndarjes dhe balancimit ndërmjet pushteteve (neni 7) si dhe parimin e autonomisë vendore (neni 13)”, - duke shtuar: “Vendimet e Gjykatës Kushtetuese shprehen qartazi se Parlamenti i Shqipërisë nuk mund kurrsesi të hetojë një pushtet të pavarur, si pushteti lokal. I kam propozuar kryetarit të bashkisë, Edi Rama, - deklaroi Vishko, - t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese për të shpallur antikushtetues këtë komision hetimor dhe shfuqizuar këtë vendim si të papajtueshëm me Kushtetutën dhe njëkohësisht për të marrë masën e pezullimit dhe zbatimit deri në shqyrtimin nga Gjykata Kushtetuese”. Komisioni hetimor për procedurat e dhënies së lejeve të ndërtimit, i miratuar me një vendim të Kuvendit (23 prill) ka objekt hetimin e mënyrave abuzive, klienteliste e në konflikt interesi në Bashkinë e Tiranës, duke krijuar një kartel të paligjshëm ndërtimi. Kjo është e dyta herë që për kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Edi Rama, kërkohet një hetim parlamentar. Në vitin 2003, kryebashkiaku u hetua nga një komision hetimor me akuzën për shpërdorime me detyrën dhe fondet publike.