Projektligji:MPÇSSHB: Status edhe për ata që nuk dëgjojnë
Ministria e Punës dhe Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta ka hartuar një projektligj, në të cilin thuhet se personat që nuk dëgjojnë, do të kenë statusin e tyre. Ndërkohë që kategori të tjera të aftësive të kufizuara kanë përfituar pagesa apo kujdestari, 3000 persona që nuk dëgjojnë, sipas projektligjit, do të përfitojnë shërbime nga shteti. “Duhet bërë më shumë për zhvillimin e kësaj kategorie që nuk dëgjon. Arsimimi duhet të jetë prioritet, pasi këta njerëz nuk shkollohen më shumë se shkolla 9-vjeçare”, - tregon Eduart Ajazi, i shoqatës së njerëzve që nuk dëgjojnë. Personave që nuk dëgjojnë nuk u krijohen kushte për punë pasi ata duhet të shoqërohen nga persona të tjerë që të dinë të komunikojnë me ta me anë të shenjave. Për herë të parë ka nisur një trajnim për 15 persona, ndërkohë që më parë kjo është mundësuar vetëm nëpërmjet shoqatave të ndryshme.