Shoqata e të verbërve,kallëzim penal për ish-ministrin Barka e ministrin Duro
Kryetari i shoqatës së të verbërve, Sinan Tafaj, u shpreh se do t’i lënë afat qeverisë për të reaguar deri në datën 30 prill, ndërkohë që për ish-ministrin e Punës, Kosta Barka, si dhe për atë aktual, Anastas Duro, të verbrit do të bëjnë kallëzim penal në prokurori, me motivacion shkelje e detyrës dhe e të drejtave të shtetasve.
“Detyrimet kanë filluar të mos përmbushen nga viti 2005. Pra, nuk është bërë indeksimi i pagesës së verbërisë pas vendimit përkatës për të verbrit në vitin 2005, është bërë në mënyrë të gabuar në vitin 2006 dhe ka vazhduar të mos bëhet në vitin 2008 dhe vazhdon edhe sot e kësaj dite të mos zbatohet një vendim i ligjshëm për pjesën që vjen në dobinë tonë. Pra, bëhet fjalë për ish- ministrin Barka dhe ministrin aktual, zotin Duro. Do të bëjmë kallëzim penal në organin e prokurorisë”, - thotë Tafaj. Nëse deri në datën 30 prill qeveria nuk do të reagojë, të verbrit do të ndërmarrin veprime, si bllokim të akseve rrugore, protesta, por dhe masa të tjera, të cilat do të bëhen publike në ditët në vijim.