E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bashkia: Ja dokumentet që vërtetojnë pronën private

Prona që prej dy ditësh është bërë mollë sherri mes Bashkisë së Tiranës dhe qeverisë. Në një listë dokumentesh rezulton që të jetë private dhe jo shtetërore. Kjo pronë, sipas vendimeve të KRRT-së, u planifikua që në vitin 1995 për një shesh ku do të ndërtoheshin kompleks hotelesh, qendër tregtare në favor të një kompanie malajziane. Lajmin që prona mes Rrugës së Durrësit dhe asaj të Kavajës është private, e ka konfirmuar edhe administratori i Bashkisë së Tiranës, Dritan Agolli. Sipas tij, prona për të cilën bëhet fjalë është në pronësi private të Komunitetit Mysliman dhe bashkëpronarëve të familjes Kika, e vërtetuar me certifikatë pronësie. Kjo pronë ka një histori 14-vjeçare miratimi lejesh, histori ku gjejmë emrat e të gjithë kryetarëve të bashkive dhe kryeministrave të mëparshëm. Në vitin 1995 gjejmë vendimin e KRRT-së 4, dt.24/2: miratohet sheshi për kompleks hotelesh, qendër tregtare, në favor të një kompanie malajziane. Në të njëjtin vit, kjo leje miratohet në KRRT-në e Republikës nga Kryeministri Aleksandër Meksi. Viti 1996, Vendim i KRRT-së nr.2, dt. 22/2: miratohet leje për rrethimin e sheshit, në favor të së njëjtës firmë. Viti 1996 - Vendim i KRRT-së nr.9, dt.16/4: miratohet plotësimi i kondicioneve urbane për leje ndërtimi në favor të kompanisë malajziane. Në të njëjtin vit, me Vendim nr.33 dt.17/4, KRRT e Republikës, e drejtuar nga Kryeministri Aleksandër Meksi, miraton sheshin e ndërtimit për të njëjtën kompani. Viti 2001, me Vendim nr. 8 dt. 21/5, KRRT e Republikës, e drejtuar nga Kryeministri Ilir Meta vendos fillimin e punimeve për kompleks hoteleri, qendër tregtare, në favor të një tjetër kompanie malajziane. Viti 2004, KRRT e Republikës e drejtuar nga Kryeministri Fatos Nano, me Vendim nr.1, dt.27/4, miraton: studimin e qendrës, i njohur ndryshe si studimi francez, duke miratuar një objekt polifunksional në këtë pronë.

Viti 2008, dy kompani shqiptare, në marrëveshje me pronarët e tokës dhe në përputhje me studimin e miratuar, pajisen me leje ndërtimi nga KRRT, e përbërë nga anëtarë të zgjedhur nga përfaqësuesit e PS-së, PD-së dhe LSI-së në Këshillin Bashkiak.

"Arsyet e këtij kalvari ku parakalojnë kryeministrat e këtij vendi, u takojnë organeve të specializuara dhe jo Bashkisë së Tiranës për t‘i zbardhur", sqaroi administratori Dritan Agolli.

"Bashkia e Tiranës deklaron sot publikisht se do të gjendet gjithmonë në krah të pronarëve legjitimë dhe biznesit të ligjshëm. Do të gjendet gjithmonë përballë dhe nuk do të gjunjëzohet nga cilido që kërkon t‘i bëjë presion e t‘i hedhë baltë apo që kërkon të cenojë të drejtat e saj, të cilat ia jep Kushtetuta dhe ligji, qofshin këta policë të urdhëruar apo padronë të veshur me pushtet", përfundoi administratori Agolli.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›