E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meta: Ekziston një frymë shumë pozitive bashkëpunimi

Ministri i Jashtëm, Ilir Meta, deklaroi dje se nuk ka asnjë diskutim që Gjermania e sheh Shqipërinë si pjesë të Bashkimit Europian. Në kulmin e debatit për shqyrtimin e kërkesës së Shqipërisë për statusin e vendit kandidat, kreu i diplomacisë shqiptare hedh poshtë zërat se qëndrimi i qeverisë gjermane është politik. Meta shpjegon se gjithçka mbetet në kuadër të problemeve teknike për periudhën dhe kohën e realizimit. Në një intervistë për "Top News", Ilir Meta iu referua prioriteteve të diplomacisë shqiptare me vendet e rajonit dhe më gjerë me vendet e Europës dhe SHBA. Por duke u ndalur te marrëdhëniet me shtetin fqinj, Greqinë, Meta lë të nënkuptuar se do të preken edhe ato çështje të cilat, siç thotë ai, shpeshherë sjellin edhe emocione të instrumentalizuara në politikën tonë. Meta përmendi edhe marrëdhëniet e mira me Italinë, Spanjën, Francën e Britaninë e Madhe, Rusinë e Serbinë, Austrinë dhe vendet e Vishegradit. "Gjermania është një partner që ka kontribuar dhe kontribuon në mënyrë të jashtëzakonshme në bashkëpunimin ekonomik, financiar dhe teknik, por edhe sepse pesha e Gjermanisë në çështjet e Europës është shumë e madhe", tha Meta. Nuk ka asnjë diskutim, vijoi ai, që Gjermania e shikon Shqipërinë dhe Ballkanin Perëndimor si pjesë të Europës, por natyrisht që atje ka debate të brendshme për kohën dhe për periudhën se kur kjo gjë mund të konkretizohet, të cilat nuk kanë të bëjnë me aplikimin tonë. "Marrëdhëniet tona me Gjermaninë, me qeverinë e re atje janë një prioritet shumë i rëndësishëm, ashtu sikurse po kaq të rëndësishme janë edhe marrëdhëniet me Francën dhe Britaninë e Madhe, marrëdhëniet me Spanjën, e cila merr edhe presidencën në janar të vitit të ardhshëm", u shpreh Meta. Duke u ndalur te marrëdhënia me dy vendet fqinje, për të cilat Shqipëria u ka kushtuar vëmendje për shkak të numrit të madh të emigrantëve, Italia dhe Greqia, kreu i dikasterit të Ministrisë së Jashtme i konsideroi si të shkëlqyera. "Të dyja këto vende janë shumë të interesuara për perspektivën e rajonit tonë dhe në këtë drejtim edhe të Shqipërisë. Por edhe për faktin tjetër se janë vende ku ne kemi përqendrimet më të mëdha të qytetarëve tanë jashtë vendit. Dhe natyrisht kur diskutohet çështja e Shqipërisë, apo kur diskutohen çështje të Ballkanit Perëndimor, interesi i Italisë apo edhe i Greqisë është më i madh, është më i dukshëm, se vendet e tjera që janë edhe më larg", nënvizoi Meta. Ne me Italinë, tha ai, kemi rënë dakord dhe shumë shpejt do të ketë një marrëveshje të partneritetit strategjik. "U konfirmua edhe gjatë vizitës që unë pata në Romë, nga kolegu im italian, z.Fratini, dhe kjo gjë besoj se do të realizohet në fillim të vitit që vjen, gjatë vizitës së Kryeministrit Berisha në Romë", u shpreh ministri Meta ndërsa për marrëdhënien specifike me Greqinë ai thotë se "pa asnjë diskutim që marrëdhëniet me Greqinë janë të një rëndësie strategjike dhe përgjithësisht ekziston një frymë shumë pozitive bashkëpunimi, për të prekur edhe atë problematikë e cila shpeshherë sjell edhe emocione të instrumentalizuara në politikën tone". Duke konsideruar rolin e veçantë që ka Shqipëria në rajon dhe Mesdhe, Meta përmendi marrëdhëniet me Serbinë, Kroacinë dhe rolin e saj për njohjen e mëtejshme të shtetit të ri kosovar. Në lidhje me Serbinë, ai vuri në dukje se Shqipëria dhe Serbia janë vendet kyçe për ecurinë e paqes, stabilitetit, integrimit dhe prosperitetit të rajonit tonë. "Marrëdhëniet tona bilaterale, jo vetëm duhet të jenë në funksion të interesave reciproke, por njëkohësisht duhet të kontribuojnë për një imazh shumë pozitiv të rajonit, përballë Bashkimit Europian, përballë aktorëve të tjerë shumë të rëndësishëm ndërkombëtarë. Dhe natyrisht që mesazhi i bashkëpunimit midis Shqipërisë dhe Serbisë ka një impakt shumë më të gjerë në rajonin tonë, dhe jo vetëm në dy vendet respektive", deklaroi kryediplomati shqiptar. Sa i përket shtetit më të ri në botë, Kosovës, ministri i Jashtëm vuri në dukje se Shqipëria do të vazhdojë të bëjë të gjitha përpjekjet e saj, për të përkrahur njohjen e mëtejshme të shtetit të ri të Kosovës. "Jo thjesht dhe vetëm për arsyen se mbështesim një shtet të ri ku shqiptarët janë në një mazhorancë shumë të rëndësishme, por në radhë të parë, sepse duke mbështetur njohjen ndërkombëtare të Kosovës, ne ndihmojmë për të forcuar stabilitetin e rajonit tonë ku Kosova mbetet një element kyç", vijoi ai. Duke shkuar më tej se rajoni, Meta vlerësoi marrëdhëniet me SHBA-në, dëshirën për të pasur marrëdhënie të mira më Rusinë, Kinën, por edhe me vende me të cilat nuk ka ndonjë traditë të theksuar të marrëdhënieve më parë. SHBA-ja, tha Meta, është një aleat strategjik, veçanërisht për sa u përket çështjeve të politikës së sigurisë rajonale dhe globale. "Gjithashtu, rritja e bashkëpunimit ekonomik edhe në fusha të tjera mbetet një prioritet kyç në raportet tona, në mënyrë që marrëdhëniet politike në fushën e sigurisë të shkojnë paralel edhe me bashkëpunimin ekonomik", u shpreh ministri i Jashtëm. Sa për objektivat e Shqipërisë në planin afatgjatë, Meta tha se është prioritet integrimi në BE ndërsa në planin më afatshkurtër, "pa dyshim që liberalizimi i vizave me Bashkimin Europian mbetet prioriteti ynë më i rëndësishëm". Ai konstatoi me kënaqësi progres shumë të ndjeshëm të qeverisë dhe të gjithë institucioneve gjatë gjithë kësaj kohe, si dhe një nivel shumë të lartë angazhimi. "Unë besoj se kjo është një sfidë që të gjithë ne, së bashku me qytetarët shqiptarë do ta fitojmë gjatë vitit të ardhshëm", theksoi Meta.

A.Thomollari

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›