Bashkia Lezhë apel pushuesve për të respektuar udhëzimet e vrojtuesve të plazhit

TIRANË, 31 korrik /ATSH/ Siguria në plazh mbetet një nga prioritetet kryesore të bashkisë Lezhë, e cila u bën thirrje qytetarëve dhe turistëve të respektojnë sinjalistikën dhe udhëzimet e vrojtuesve, si një masë e domosdoshme për parandalimin e incidenteve në det.
Përmes një njoftimi në rrjetet sociale, bashkia Lezhë informon se “në plazhet publike të menaxhuara shërbimi i vrojtuesve të plazhit ofrohet çdo ditë, në intervalin orar 10:00–18:00. Në çdo stacion vrojtimi janë vendosur shtylla me flamuj sinjalizues, të cilët informojnë pushuesit mbi kushtet e detit dhe nivelin e rrezikut”.
Bashkia Lezhë u bën thirrje qytetarëve të respektojnë ngjyrën e flamurit sinjalizues dhe udhëzimet e vrojtuesve, duke theksuar se zbatimi i tyre mund të shmangë aksidente dhe të mbrojë jetën e pushuesve.
Gjithashtu bashkia informon se në plazhet publike pa pagesë, ku janë vendosur tabelat informuese “Plazh pa vrojtues”, nuk ofrohet shërbimi i vrojtimit.
“Në këto zona, çdo pushues duhet të tregojë kujdes maksimal, të mos hyjë në det në kushte të rrezikshme dhe të mbikëqyrë vazhdimisht fëmijët”, thekson bashkia.
Sipas bashkisë Lezhë siguria në plazh është një përgjegjësi e përbashkët.
Me këtë apel, bashkia Lezhë synon të rrisë ndërgjegjësimin e pushuesve për rëndësinë e respektimit të masave të sigurisë në plazh, duke vënë theksin te roli i bashkëpunimit mes qytetarëve dhe shërbimeve të vrojtimit në parandalimin e aksidenteve.
/k.s/a.f/r.e/