E Diel, 1 Nëntor 2026

Mazniku: Bashkimi i Rinasit me Tiranën lidhet me interesin kombëtar dhe mirëmbajtjen e aeroportit

TIRANË, 31 korrik /ATSH/ Bashkëkryetari i Komisionit të Posaçëm për Reformën Administrativo-Territoriale, Arbjan Mazniku prezantoi sot në detaje draftin e Partisë Socialiste për riorganizimin e hartës territoriale. Ai bëri të ditur se është propozuar që Rinasi t’i bashkohet bashkisë së Tiranës, për shkak të rëndësisë strategjike të Aeroportit Ndërkombëtar të Tiranës, i cili ndodhet në këtë zonë.

Duke iu përgjigjur interesit të gazetarëve lidhur me draftpropozimin e Partisë Socialiste, Mazniku tha se Tirana është i vetmi rast ku është propozuar një rishikim i kufijve administrativë. Sipas tij, kjo lidhet natyrshëm me faktin se Aeroporti Ndërkombëtar “Nënë Tereza”, i vendosur në Rinas, duhet të jetë pjesë e bashkisë së Tiranës.

“Rasti i vetëm në të cilin kemi vendosur të propozojmë një ndryshim të territorit është ai i Rinasit, për një arsye që është kombëtare. Së pari, Rinasi është një aset kombëtar. Së dyti, Tirana është përfituesja më e madhe, nga pikëpamja ekonomike, e aktivitetit që gjeneron Rinasi. Nga ana tjetër, territori përreth aeroportit, veçanërisht akset rrugore që lidhin Rinasin me Tiranën, kanë nevojë për mirëmbajtje më të mirë, pastrim më të madh dhe trajtim më estetik, pasi nuk janë vetëm fytyra e Tiranës, por edhe e Shqipërisë për turistët dhe vizitorët ndërkombëtarë”, tha Mazniku.

Ai shtoi se synimi është të krijohet një ekuilibër mes përfituesit ekonomik dhe institucionit që mban kostot e mirëmbajtjes së territorit.

“Ideja ishte që vetëm në këtë zonë të bënim një ndryshim, për t’i dhënë mundësi që përfituesi, që është bashkia e Tiranës, të mbajë edhe kostot e mirëmbajtjes. Nuk donim t’u kërkonim Vorës, Kamzës apo Krujës, të cilat ndajnë territorin e aeroportit, të përballonin kostot e mirëmbajtjes së një zone nga e cila përfitojnë më pak në aspektin e zhvillimit. Ky është një rast specifik që lidhet me interesin kombëtar dhe me mënyrën se si prezantohet Shqipëria përballë 12 milionë turistëve që vijnë çdo vit dhe mbi 7 milionë pasagjerëve që kalojnë çdo vit nga Rinasi”, u shpreh Mazniku.

Mazniku theksoi gjithashtu se reforma administrativo-territoriale është e domosdoshme për t’u dhënë bashkive më shumë kapacitete dhe për t’i përgatitur ato për sfidat që sjell procesi i anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian.

Sipas tij, vonesat në punën e Komisionit të Posaçëm kanë ardhur si pasojë e qëndrimit të opozitës.

/r.e/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›