E Diel, 1 Nëntor 2026

Bashkia Tiranë konkurs mes shkollave të mesme në Art dhe Sport

TIRANË- 24 shkolla të mesme të Tiranës, publike dhe private kanë nisur sot zyrtarisht konkursin mes tyre, në art dhe sport. Në një ceremoni të veçantë, të përzgjedhurit për të marrë pjesë në këto gara, nga 24 shkollat e mesme të kryeqytetit janë prezantuar në sallën e sportit “Fahrie Hoti”. Ky konkurs që do të zgjasë për afro dy muaj dhe që në fund do të kurorëzojë më të mirët, vjen në kuadër të iniciativave të Bashkisë së Tiranës për përfshirjen e të rinjve në aktivitetet sportive dhe kulturore në kryeqytet.

Në sport, kampionatet do të zhvillohen në tre disiplina: në volejboll (vajza/djem), basketboll (vajza/djem), mini-futboll (djem). Ndeshjet do të drejtohen nga gjyqtarë profesionistë. Konkursi në art mes shkollave të mesme të kryeqytetit do të gjykohet nga një juri me personalitete të njohura të artit, si Yllka Mujo, Vikena Kamenica, Gent Korini, Gent Çoçoli, Parid Teferiçi etj. Kryetari i Bashkisë së Tiranës Lulzim Basha ka bërë të ditur edhe disa prej shpërblimeve që Bashkia ka parashikuar për më të mirët.

“Më të mirët do të fitojnë dhe më të mirët po kështu do të shpërblehen nga Bashkia e Tiranës. Shkolla që do të grumbullojë më shumë stimuj dhe çmime do të përfitojë udhëtim falas në një nga kryeqendrat e Evropës. Çmime të veçanta kemi parashikuar edhe për sportistët më të mirë brenda ekipeve dhe artistët më të mirë. Po zbuloj sot njërin prej çmimeve, meqë një pjesë e mirë e juaja janë maturantë. Sportistët dhe artistët më të mirë brenda ekipeve do të shpërblehen mes të tjerave edhe me bursa të plota për të ndjekur studimet universitare në një ndër universitetet e Tiranës” - u shpreh z. Basha.

Aktivitetin me fëmijët e kryeqytetit e përshëndeti edhe kryeministri i vendit Sali Berisha, i cili i përgëzoi fëmijët këshilloi fëmijët që të merren me aktivitet sportiv, i cili nuk bën mirë vetëm për trurin, por edhe për mendjen. 

Kryeministri ka premtuar se angazhimi i qeverisë për të krijuar kushte në çdo cep të vendit, në mënyrë që të rinjtë të angazhohen në art dhe sport nuk do të ndalet.

“Qeveria do të bëjë gjithçka të nxisë tek ju këtë pasion, të krijojë kushtet që ju të stërviteni në sportin që dëshironi. Në katër vitet që vijnë, ne jemi zotuar të ndërtojmë në çdo shkollë 9-vjeçare, në çdo komunë të Shqipërisë terrenet sportive për nxënëset dhe nxënësit e vendit tonë” - theksoi Kryeministri Berisha.
(e.m/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›