E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bashkia Vlorë, 6 vjet për të përfunduar projektin e semaforëve

Nësë Shqipëria është vendi i çudirave, qyteti i Vlorës mban vendin e parë. Pushtetit Lokal nuk i mjaftojnë 6 vjet për të vendosur një semafor. E ky është një rekord më vete në Librin e çudirave. Projekti për rrjetin e semaforëve është përfunduar që në vitin 2003, por deri më tani, autoritet komunale kanë mundur të kryejnë vetëm azhornimin e tij. Sa i përket situatës në rrugët e qytetit, pamjet nuk kanë nevojë për koment.
Semaforët e ekzistues janë instaluar që në vitin ‘96 por nuk e kanë kryer asnjëherë funksionin e tyre. Në vend të tyre, policia rrugore ka gjetur si zgjidhje shtimin e patrullave, të pamjaftueshme për të rregulluar trafikun në rreth 40 kryqezime dhe për të evituar aksidentet.
Përgjigjen se kur do të marrë fund kaosi në rrugët e qytetit, nuk e jep dot as Bashkia e qytetit. Projekti do të kalojë sërish në fazën e azhornimit pa patur një afat konkret për fillimin e zbatimit të tij.
Në Vlorë qarkullojnë çdo ditë rreth 25 mijë automjete, numër që dyfishohet në periudhën e sezonit turistik. Pavarësisht kësaj, qyteti me rreth 250 mijë banorë mbetet nga të vetmit që nuk ka semaforë në rrugët dhe kryqëzimet e tij.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›