E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bashkia Vlorë: Nesër aksioni për prishjen e ndërtimeve pa leje në bregdet

VLORE – Bashkia e Vlorës njoftoi se të enjten do të nisë aksioni për prishjen e ndërtimeve pa laje në bregdet. Sipas njoftimit të Bashkisë, nesër në orën 07:00 do të prishen ndërtimet pa leje në Llogara, për të vijuar më pas në Vlorë dhe në pyllin e Sodës.

Kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama deklaroi një ditë më parë se qeveria e tij do të jetë e pamëshirshme me çdo ndërtim pa leje në bregdet. Në një takim të zhvilluar dje me kryetarët e bashkive dhe deputetët socialistë të zonave bregdetare Rama tha se duhet rrafshuar çdo ndërtim pa leje që cënon perspektivën e bregdetit, veçanërisht ato të shfaqura gjatë vitit të fundit.

“Çdo karabina e ndërtuar deri tani duhet shembur. Ata që kanë cenuar detin, duhet t’i çohen prokurorisë. Ç’do gjë e ndërtuar pa leje që cenon perspektivën e zonës bregdetare, duhet rrafshuar. Në aspektin afatgjatë, duhet një ndërhyrje në ligj qoftë në mënyrën si do menaxhohen hapësirat publike, qoftë si do garantohet që cikli i ndërtimeve pa leje të jetë një cikël i mbyllur”, tha Rama.

Nga ana e tyre krerët e bashkive të zonave të bregdetit deklaruan se duhet rishikuar ligji i ndërtimeve dhe ai i legalizimeve që bien ndesh në disa pika me njëri-tjerrin.

Kreu i PS theksoi gjithashtu se duhen ndryshime të vendosura ligjore në mënyrë që cikli i ndërtimeve pa leje të mbyllet njëherë e mirë. “Nëse cikli nuk mbyllet nga ndëshkimi i godinës tek ndëshkimi i autorit të veprës pa leje, ato do t’i kemi përditë në zhvillim. Nëse cikli nuk mbyllet nga lajmërimi deri tek ndëshkimi, ato do vazhdojnë “të mbijnë” në tërë territorin”, tha Rama. 

Kreu i ardhshëm i qeverisë tha se frenimi i këtij fenomeni në ta ardhmen do t’i besohet policisë së shtetit dhe jo asaj ndërtimore. 

(er.nu/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›