E Diel, 1 Nëntor 2026

Kosovë, migrimi ilegal, armiku i liberalizimit të vizave

PRISHTINE – “Migrimi ilegal është armiku më madh i liberalizimit të vizave”, u tha sot në takimin bashkërendues me institucionet e Kosovës përgjegjëse për luftimin e kontrabandimit me qenie njerëzore, mbajtur me iniciativën e ministres së Integrimit Evropian, Vlora Çitaku.

Në takim morën pjesë Ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi, kryeprokurori i shtetit, Ismet Kabashi, drejtori i Policisë së Kosovës, Shpend Maxhuni dhe udhëheqësi i Divizionit Ekzekutiv të EUELX-it, Mattsson, njofton Ministria e Integrimit.

Në takim u diskutua shqetësimi i përbashkët rreth rritjes së numrit të azilkërkueve nga Kosova, të cilët janë duke shfrytëzuar territorin e Serbisë për të kaluar në mënyrë të parregullt kufirin hungarez. Ministrja Çitaku dhe të pranishmit u pajtuan që kosovarët nuk kualifikohen për azilkërkues në vendet e BE-së pasi Kosova nuk konsiderohet vend i krizave ku të drejtat themelore ju cenohen individëve të cilësdo përkatësi etnike, religjioze apo gjinore.

Në takim u konstatua se personat që bien pre e këtyre mashtrimeve, rrezikojnë sigurinë e tyre personale, shpenzojnë mjete të panevojshme dhe përfundojnë në qendra për azilkërkues të cilët në një afat shumë të shpejtë do të riatdhesohen në Kosovë dhe do t’ju ndalohet hyrja në zonën Shengen për 3-5 vitet e ardhshme.

Drejtori i Policisë së Kosovës, Maxhuni, njoftoi se tashmë kanë nisur disa hetime, të cilat do të rezultojnë të suksesshme, të cilat kanë për qëllim hetimin dhe arrestimin e atyre që ofrojnë shërbime të kontrabandimit, por edhe atyre që e lehtësojnë këtë proces.

Nga EULEX-i u kërkua që të ketë një bashkëpunim të ngushtë me institucionet e BE-së si Europoli dhe të sigurohet bashkëpunim i afërt me institucionet e Kosovës, Serbisë, por edhe shteteve anëtare të BE-së për ta luftuar së bashku këtë dukuri, e cila është pjesë e krimit të organizuar.

(er.nu/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›