Bashkia asfalton provizorisht sheshin Skënderbej, lirohet qarkullimi
Ne kemi asfaltuar pjesën para Pallatit të Kulturës dhe Muzeut Kombëtar për të siguruar vetëm gjashtë vija kalimi për të rritur shpejtësinë e qarkullimit, thotë Mihal Cico, drejtor i Projekteve në bashki. Në fazën e finale kur në shesh nuk do të lejohet më qarkullimi i automjeteve, ky asfalt do të shkatërrohet për ti hapur rrugë shtrimit të sheshit me pllaka. Sipas drejtorit të projekteve në bashki, një pjesë e sheshit Skënderbej do të shtrohet me pllaka guri të gdhendura, prodhim i vendit, ndërsa në zona të tjera do të ketë pllaka të ndryshme. Sipas projektit, sheshi Skënderbej do të shndërrohet në pedonal. Bashkia e Tiranës ka lënë të lirë qarkullimin e mjeteve, me drejtim lëvizjeje nga stacioni i trenit drejt sheshit "Skënderbej". Ndonëse tabela sinjalistike e vendosur nga bashkia ndalon lëvizjen e mjeteve në atë kah, qarkullimi është lejuar. Policia e shtetit, konfirmon se ndonëse herë pas here i është drejtuar me shkresë zyrtare Bashkisë së Tiranës për të ndryshuar skemën e lëvizjeve të mjeteve, ende nuk ka një përgjigje prej tyre dhe në këto kushte po vijon të respektojë grafikun e vendosur nga pushteti lokal, ndonëse kjo rëndon trafikun. Por projekti i ri për asfaltimin e qendrës së kryeqytetit ka qenë ditët e fundit edhe shkaku i bllokimit të trafikut të automjeteve. Si pasojë e bllokimit të disa kryqëzimeve në të cilat do të kryheshin edhe punimet Bashkia e Tiranës ka vendosur ndalimin e qarkullimit të automjeteve në disa korsi. Fillimi i punimeve për sheshin Skëndërbej do të shoqërohet me ridimensionim të trafikut në kryeqytet. Fillimisht Bashkia e Tiranës ka përgatitur pak kohë më parë një hartë të ndryshimit të qarkullimit rrugor, për çdo fazë punimesh, në mënyrë që të lehtësojë sa më shumë lëvizjen e makinave, që do të ndikohet prej bllokimit të sheshit. Sipas Bashkisë, momenti i parë i bllokimit ka qenë bllokimi i rrugës në sheshin para Pallatit të Kulturës dhe rrugët pas tij do të jenë akset që do të shfrytëzohen për kalimin e rrjedhës së trafikut.
Last Updated on Thursday, 13 May 2010 20:57