Jashtë bie borë dhe Varësja e rrobave, premierat që pritet të pushtojnë Metropolin
Ky sezon artistik ka nisur me një sërë ambiciesh dhe energji pozitive për Teatrin e Metropolit. Kanë qenë të shumta veprat, që ai ka sjellë tek publiku, duke ngjitur në skenë emra të rinj dhe të njohur aktorësh. Në vijim të aktivitetit të tij artistik, nga data 20 deri më 30 maj
vijnë dy premiera njëkohësisht. Jashtë bie borë dhe Varësja e rrobave do të jenë në dy sallat e reja të këtij teatri. Salla Bodrum dhe Çehov do të presin këto dy premiera teatrore, duke sjellë vepra me vlera dhe argëtuese për publikun. Në pak vite ky institucion ka treguar se po ristrukturohet dhe po kërkon gjithmonë e më shumë të jetë më pranë publikut artdashës me projekte, salla të reja dhe veprimtari gjithëpërfshirëse. E ndërkohë, që sallat e saj vazhdojnë që të jenë të pushtuara nga shfaqjet e ndryshme teatrore si për të rritur ashtu dhe për fëmijë. Jashtë bie dëborë! është një komedi komike dhe bën fjalë për bashkëjetesën e detyruar të tre vëllezërve: Enzo, Cico, Stefano, protagonisti Cico, është një i sëmurë mendor. Një vëzhgues sipërfaqësor mund të mendojë se Cico është një budalla i shkretë: i paaftë për veten e tij, plotësisht i ndarë nga realiteti, përkundrazi ai është një vëzhgues i mprehtë i realitetit që e rrethon, një zgjidhës gjenial i situatave të vështira, një person tallës i retorikës dhe i hipokrizisë njerëzore, pra një hero i ndryshëm. Janë situatat që rrjedhin nga sjellja e ndryshme, që bëjnë për të qeshur spektatorin. Të bën për të qeshur tallja e njerëzve normale, që vë në siklet kur i dobëti ngre ndjenjat e fajit të normaleve. Në komedi nuk mungon një shije e thellë e hidhur, që në teatër i ka lënë spektatorit një shije të hidhur. Në këtë vepër të autorit Vicenzo Salemme që vjen me regji nga Najada Elmazi interpretojnë Gentian Zenelaj, Alban Musa, Ledion Zoi. Skenografia Beqo Nanaj dhe kostumet Edlira Qyshka. Sa i takon veprës tjetër Varësja e rrobavee shkruar nga Mario Alessando Paolelli ajo vjen me regji nga Florian Agalliu. Në qendër të saj, një shtëpi e thjeshtë, e mobiluar thjeshtë, bëhet vendi i veprimit të katër vëllezërve: David, Xhulio, Mimo dhe Anko. Njëri prej tyre, pikërisht David, vuan nga sindroma e të qenit varëse rrobash dhe është kështu trashëgimtari i një ati që besonte se ishte nderësja e rrobave të lara. Ashtu si atin, dhe birin jeta i ka dënuar duke i sëmurur psiqikisht, i ka trembur me ashpërsinë dhe egërsinë e saj, u ka hequr mundësinë dhe dëshirën për të luftuar e fituar. Vëllai i dytë i pafuqishëm për tu përballur me realitetin është tërhequr dhe mbyllur në dhomë duke pirë gjithë ditën aq sa gjaku i është kthyer në etilik. Dhoma e tij është mbushur me shishe e tapa. I treti i papunë i rrethuar nga vëllezër depresive mundohet ti dalë mbanë jetës së provincës. Konflikti krijues në vepër është midis njeriut dhe rrethanave jetësore. Drama e tyre qëndron tek lufta për ta përballur dhe pamundësia për ta bërë atë. Kjo bëhet nëpërmjet situatave komike. Një pompë e prishur, një frigorifer që bën zhurmë dhe pushon pasi e shqelmojnë, një këst kredie që duhet paguar, një elitë me një intensitet deri në çmenduri, një makinë që ngelet në mes të rrugës, një trafik që të terrorizon, bëhen shkaktarë që dhe dy vëllezërve të tjerë u mbarojnë fjalët, të dorëzohen dhe të kthehen: njëri në tavolinë e tjetri në abazhur. Skenografia është e ndërtuar me pak elemente. Veçoria e kësaj komedie qëndron tek personazhi varëse rrobash. Nuk është e thjeshtë ta interpretosh, sepse qëndron i palëvizur gjatë gjithë kohës pa thënë asnjë fjalë. Nëqoftëse do të kërkojë një vepër që i flet më mirë realitetit shqiptar të ditëve të sotme zor se do të gjejë komedi më të mirë. Vepra është përfaqësuese e denjë e atij zhanri që sot etiketohet komedi e zezë. Në projektet ambicioze të këtij teatri priten premiera të tjera , ku drejtuesit shprehen se do të kenë bashkëpunime me regjisorë të huaj të teatrit Rumun, Francez etj, të cilët kanë shprehur dëshirën e tyre për të qenë pjesë e këtij teatri.
Nga Julia Vrapi
Last Updated on Thursday, 13 May 2010 20:10