E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bashkia e Beratit i kërkon qeverisë riparimin e tubacionit të ujit të pijshëm

Bashkia e Beratit kërkon ndërhyrje urgjente të qeverisë për ndihma në mjete dhe specialistë për riparimin e tubacionit të ujit të pijshëm në Berat. Ndonëse, kanë kaluar katër ditë nga çarja e tubacionit që furnizon qytetin e Beratit me ujë të pijshëm ende nuk është riparuar dëmi, ndërkohë që qytetarët nuk kanë ujë të pijshëm në banesat e tyre. Dhe pse që prej ditës së enjte grupi i gatishmërisë së ndërmarrjes së ujësjellësit po punon për ngjitjen e dy pjesëve të

 tubit të shkëputura nga njëra tjetra, dëmi nuk është riparuar pasi shkëputjet e masiveve të dheut nuk e lejojnë këtë gjë. Kryetari i bashkisë, Fadil Nasfi bëri të ditur mesditën e djeshme se kërkon ndërhyrje urgjente nga qeveria me mjete dhe specialistë për riparimin e dëmit. Nasufi shprehet se qytetarët nuk kanë ujë të pijshëm në banesat e tyre, pasi po rezultojnë negative të gjitha përpjekjet e punonjësve të ujësjellësit për ngjitjen e dy pjesëve të tubit. Situata ka ardhur duke u përkeqësuar mesditën e sotme, pasi një masiv dheu mësohet se është shkëputur sërish duke shkatërruar ngjitjen e dy pjesëve të tubit. Në këto kushte punëtorët e gatishmërisë së ujësjellësit kanë pohuar se është e pamundur të përfundojë ngjitja e rreth 20 milimetrave ndërmjet dy pjesëve të tubacionit që përcjell ujin e pijshëm nga Bogova drejt Beratit. Kryetari i bashkisë Nasufi është shprehur se ndërmarrja e ujësjellësit nuk disponon mjete të nevojshme për riparimin e dëmit dhe kërkon ndërhyrjen e menjëhershme të qeveris. Aktualisht qytetarët e Beratit nuk kanë ujë të pijshëm në banesat e tyre, pasi dhe depot ujit në lagjen Uznovë tashmë nuk ka rezerva. Tubacioni i ujit të pijshëm që furnizon me ujë qytetarët, por dhe një pjesë të banorëve të rrethinave të tij u shkëput në dy pjesë katër ditë më parë në vendin e quajtur Uji i zi në afërsi të fshatit Pronovik në Bogovë si pasojë e shkarjeve të dherave nga reshjet e ditëve të fundit. Por, dhe pse po punohet intensivishtë për ngjitjen e dy pjesëve të tubit tereni i vështirë dhe vazhdimi i rrëshqitjeve e ka bërë të pamundur ngjitjen e dy pjesëve të tubit.

A. Shehu

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›