E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rrëshqitjet e tokës rrezikojnë qytetin antik të Apolonisë

Rrëshqitjet e tokës nuk po përfshijnë në dëme vetëm banesat dhe segmentet rrugore në qarkun Fier. Së fundmi këto rrëshqitje dheu po përfshijnë edhe qytetin antik të Apolonisë, duke rrezikuar kështu seriozisht objektet me vlera të pakrahasueshme muzeale. Ka qenë vetë drejtori i parkut arkeologjik Marin Haxhimihali ai që ka dhënë alarmin mëngjesin e së shtunës. Ai ka deklaruar se sapo ka hyrë në këto ambientet ka parë pjesë muri të rrëzuara si dhe

 zhvendosje të mureve të jashtme. Haxhimihali deklaroi gjithashtu se momentalisht është e ndaluar hyrja për vizitorët e interesuar, pasi situata paraqitet e rrezikshme për shëndetin e tyre. Sapo kam parë këto dëmtime kam vënë alarmin, pasi kjo është vlera më e madhe që kemi si rreth. Muret tashmë janë dëmtuar në 70% të tyre, ndërsa brenda kanë rënë suva dhe gurë të pjesëve mbrojtëse. Sot kemi bllokuar hyrjen, pasi gjithçka këtu momentalisht paraqitet e rrezikshme dhe nuk është mirë që vizitorët të ecin nën hijen e rrezikut, ka deklaruar Haxhimihali. Ky i fundit është shprehur  gjithashtu se koha nuk pret, ndërsa ka kërkuar ndihmë nga autoritetet për të penguar rrëshqitjet e mëdha të dherave, por edhe për të bërë evakuimin e statujave. Shkak i rrëshqitjeve janë bërë shirat e shumtë të rënë gjatë ditëve të fundit. Pas godinës së madhe ka pësuar rrëshqitje një pjesë toke, çka ka çuar edhe në zhvendosje të murit të ndërtesës. Toka i krijon herë pas herë këto lëvizje dhe si rezultat muret ndryshojnë vendndodhjen. Edhe specialistët që mbërritën këtu kanë qenë të mendimit që e gjithë godina rrezikon shembjen totale. Për këtë arsye gjithçka mund të përkeqësohet edhe më shumë, ndaj në muze po zbatohet plani i emergjencës që planifikon evakuimin e sendeve të lëvizshme. Do e kemi të vështirë për 8 statuja të mëdha, që është shumë e vështirë të zhvendosen, ka vijuar më tej Haxhimihali. Qyteti antik i Apolonisë njihet për vlerat arkeologjike, mozaikët, pjesë të teatrit antik. Gërmimet në të nuk kanë të sosur. Ka pasur përherë vlera, të cilat në çdo gërmim sjellin nga një histori, një ngjarje apo një periudhë historike.

O. Filka

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›