Bashkia e Durrësit, diskutime teknike për planin rregullues të qytetit
Bashkia e Durrësit, në kuadër të përgatitjes së planit rregullues të të gjithë qytetit të Durrësit, i cili kryhet nga studiot Hydea dhe Atelier 4, plan rregullues i përfshirë në projektin LAMP, ka organizuar një konsultim të dytë teknik me grupet e interesit në pallatin e kulturës A. Moisiu në Durrës. Në këtë diskutim merrnin pjesë kryetari i Bashkisë së Durrësit Vangjush Dako, drejtuesi i projektit LAMP Hari Baral, ekspertë të fushave të ndryshme si ajo e ekonomisë, urbanistikës, transportit, mjedisit, ndërtues, intelektuale e qytetarë të Durrësit.
Ky diskutim, pas një paraqitje të zgjeruar të projektit LAMP nga ana e drejtuesit të tij Baral u zgjerua në disa tema që kishin lidhje me planin rregullues të qytetit si planifikimi urban, mjedisi, transporti, ekonomia urbane dhe shërbimet. Po kështu të ftuarit zhvilluan një sërë diskutimesh që u përqendruan rreth planeve për zhvillimin e qytetit. Në fjalën e tij, kryetari i bashkisë Vangjush Dako deklaroi se ky plan rregullues i qytetit është një plan strategjik për zhvillimin e qytetit. Kemi organizuar këtë diskutim të dytë teknik me grupet e interesit në mënyrë që të kontribuojmë sa më shumë në këtë plan rregullues të të gjithë qytetit, i cili është plan strategjik zhvillimi për qytetin tonë dhe një plan që rregullon të ardhmen e këtij qyteti dhe që do të orientojë investimet që do të bëhen në Durrës, u shpreh Dako, sipas të cilit plani rregullues i qytetit do të përfundojë në dhjetor të këtij viti dhe gjatë kësaj periudhe kohore bashkia do të jetë krejtësisht transparente dhe e hapur për sugjerimet e të gjitha grupeve të interesit dhe qytetarëve në lidhje me këtë plan rregullues, për të cilin do të zhvillohen një sërë takimesh të tjera publike. Implementimi i tij parashikohet të fillojë vitin e ardhshëm dhe ka një diapazon 25 vjeçar, gjë që realizon rrugën e duhur të realizimit të investimeve dhe për pasojë zhvillimin e qytetit në të ardhmen. Projekti LAMP financohet nga Banka Botërore dhe po aplikohet në katër Bashki që janë ajo e Durrësit, Vlorës, Shkodrës dhe Kamzës. Ky projekt ka një fond prej 1 milion dollarësh me anë të të cilit do të hartohen planet dhe rregulloret e zhvillimit strategjik urban për këto katër qytete. Nga ky fond i përgjithshëm rreth 270 000 dollarë janë përcaktuar për hartimin e planit rregullues të qytetit të Durrësit që përfundon në fund të vitit dhe në vitin 2010 pritet të fillojë zbatimi që shtrihet në një afat kohor 25 vjeçar gjatë të cilit të gjithë investimet që do të kryhen në qytet do të orientohen në bazë të këtij plani rregullues që do të rregullojë zhvillimin e Durrësit në të ardhmen duke respektuar të gjitha vlerat dhe traditën e tij.