E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shkëmbi i mësuesit

(Përsëri për ty, i dashur Profesor Doktor Musa Kraja)
Nga Flamur BËRDËLLIMA
Që kur botova shkrimin e parë dhe pastaj portretin e parë, për një nga figurat me bazare të arsimit Shqiptar, Prof.Dr. Musa Krajes, e dija se në të vërtetë, sapo kisha prekur vetëm diçka nga jeta e tij aq e pasur... Rri pi kafe me të, aty pranë shkollës Mësonjëtorja XXI ai më thotë papritur: Flamur, e din që unë nuk kam lindur i çalë? Më trondit dhe më gjen gafil kjo shprehje. Unë  e dua Musain si Perëndi, dhe as nuk me duhet se a e ka këtë defekt apo jo. Për mua ka rëndësi shpirti i tij, që rrugëton brenda meje dhe brenda dhjetëra mijëra shqiptarëve, që e duan si mësues, si prind, si shok. Ai vjen tek ne si një lënde ideore dhe me karakterin e tij e dashurinë e pafundme për Shqipërinë, na vë në gjurmët e nevojshme, në atë hartë të rrugës që duhet të bëjë njeriu që të quhet NJERI. Që është një udhëtim i brendshëm, i fundëm ose i pafundëm, nëpër stacionet e arsyes, apo të vlerave. Kjo me intereson tek Musai! Por ndërkohë e dëgjoj me vëmendje, kur ai me thotë se, kur djalë fare i ri, ishte Drejtor Shkolle në Pentarë të Shkodrës. Mu aty buzë kufirit. Kam patur rastin të jem kur ra tërmeti i prillit 1979. Dhe aty, bashkë me kufitaret dhe mësuesit e tjerë Musai luante futboll në kohën e lirë. Dhe për kuriozitet: portat ishin me gurë dhe njëri nga ata, ishte pikërisht piramida e kufirit. Askujt nuk i shkonte ndërmend të arratisej. Jo se thoshte partia ose ligji. Por Shqipëria e tyre, (pra e tyre) ishte këtu, jo në Jugosllavi. Gjithsesi në një aksion për të shënuar gol Musai bie nga një shkëmb thyen këmbën. Kaq ishte historia. Ajo që më bën skllav për të shkruar rrallë, lidhet me idenë se si sot, e 50 vjet mbrapa njerëzit e atjeshëm i thërrasin: SHKËMBI I MËSUESIT. Çështë ky kod moral kaq i lartësuar? I njeriut të thjeshtë? Është më shumë se enigma e ndonjë sekti fetar. Është kaq jetësore dhe kaq larg të qënurit diçka virtuale.
Musai atëherë ishte 18-19-vjeç. Pra jo Prof. Dr. siç është sot, jo mësues i merituar, jo një nga figurat më të spikatura të shoqërisë Shqiptare, veçmas në fushë të edukimit dhe të arsimit. Kur Musai më thotë këtë detaj, (jam shumë i sinqertë për këtë), nuk do aspak të lartësojë vetën, por personalitetin e popullit të asaj zone. Mund të kesh prapambetje ekonomike. Mund të mos kesh mendim filozofik si të Getës apo Shopenhaurit, por mund të jesh një popull sa i thjeshtë aq i mbrujtur me një dashuri për arsimin. Unë nuk e di a do të quhej ai Shkëmbi i Drejtorit , apo Shkëmbi i Deputetit. Por Shkëmbi i Mësuesit, padyshim. Mësuesi tek ne, sidomos në Veri, është quajtur edhe në vitet e diktaturës Zotni. Kjo nuk qe një barazi me ZOTIN, por një klasifikim që ndërgjegjja popullore i bënte këtij njeriu - zotni burrë që e mësonte, i hapte mendjen dhe shpirtin. Këtu mendoj se është thelbi kuptimore i emërtimit popullore të atij shkëmbi me nominativin Shkëmbi i mësuesit. Ka aty brenda ekzistencë, mbijetesë, dashuri, peligrinim. Ka deduktim se çfarë vlerëson populli, në thellësi të shpirtit të tij. Në ato struktura që vetëm njëmijëvjeçarët mund ti ndryshojnë. Dhe kur bëhet fjalë për Musa Krajën:
Çtju them o njerëz, kjo vetëm më mbush me gëzim.

Last Updated on Wednesday, 17 June 2009 09:45

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›