Krasniqi: Kushtetuta nuk po zbatohet në gjithë territorin
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, në njëvjetorin e hyrjes në fuqi të Kushtetutës, tha se dokumenti themeltar ende nuk po zbatohet në gjithë territorin e vendit për shkak të ndërhyrjeve të Beogradit. Më duhet të pranoj me dhimbje, që edhe pas një viti të hyrjes në fuqi, Kushtetuta nuk po zbatohet në gjithë territorin e Kosovës, për shkak të ndërhyrjes së Beogradit në punët e brendshme të Kosovës.
Por, ky fakt nuk e vë aspak në dyshim vendosmërinë tonë për shtetin integral, të lirë dhe sovran të Kosovës, theksoi Krasniqi në seancën e djeshme solemne të Kuvendit, me rastin e njëvjetorit të hyrjes në fuqi të Kushtetutës së shtetit të ri. Sipas tij, Beogradi për fatin e keq të popullit të Kosovës dhe të Serbisë njëkohësisht, po vazhdon të ndjekë politika të obstruksionit ndaj Kosovës, që kanë për qëllim rrënimin e saj. Kjo politikë rrënuese ka çmimin e saj që u faturohen qytetarëve të Serbisë dhe Kosovës. Ne do të përballemi me të derisa qarqet serbe të binden se nuk është kjo filozofia politike e Evropës moderne e të bashkuar, nuk është kjo logjika e fqinjësisë së mirë dhe e stabilitetit rajonal, deklaroi Krasniqi. Ndër të tjera ai theksoi faktin se Serbia ka kërkuar që Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë ta shqyrtojë legjitimitetin ndërkombëtar të pavarësisë së Kosovës, duke përmendur këtu bindjen e plotë të shtetit të Kosovës se e drejta e tyre është plotësisht në përputhje me të drejtën ndërkombëtare. Ndërsa në takimin e zhvilluar me ish-kryeadministratorin e Kosovës, Soren Jessen-Petersen, kryeparlamentari Krasniqi bëri një prezantim në pika të shkurtra për proceset që zhvillohen në Kosovë, që nga shpallja e Pavarësisë. Në këtë vështrim u vu në dukje se Kuvendi i Kosovës aprovoi të gjitha ligjet e Pakos së Ahtisarit me procedurë të shpejtuar, njofton Zyra për marrëdhënie me media dhe publikime e Kuvendit të Kosovës. Ndërsa nga ana e tij Peterssen e falënderoi kryeparlamentarin Krasniqi për këtë pritje, në përvjetorin e parë të hyrjes në fuqi të Kushtetutës, ditë kjo e shënuar për Kosovën. Është kënaqësi që jam këtu, në Kosovën e pavarur dhe shfrytëzoj rastin tju uroj përvjetorin e parë të hyrjes në fuqi të Kushtetutës së Kosovës, theksoi Soren Jessen-Petersen.