Bashkia e Fierit vendos kufizime në furnizimin me ujë të banorëve

Bashkia e Fierit njoftoi qytetarët e saj se do të nisë kufizimet me furnizimin me ujin e pijshëm, për të kursyer energji, por edhe për të mos rritur çmimin e ujit si efekt të krizës energjetike.
Njoftimi i bashkisë vjen ndërsa furnizimi i popullatë me ujë lë shumë për të dëshiruar. Për shumë fshatra të Fierit do të thotë 1-2 orë ujë të pijshëm në 24 orë. Në stinën e verës, kufizimet janë edhe më të mëdha. Disa fshatra nuk marrin fare ujë nga Bashkia dhe banorët furnizohen nga puset e hapura privatisht. Cilësia e ujit është mjaftë e keqe. Ai është gati i papërdorshëm për t’u pirë, dhe të gjithë qytetarët e Fierit ujin që konsumojnë e blejnë ose nga botet ose në markete.
Njoftimi i plotë
“Të nderuar qytetarë!
Jemi duke përjetuar një situatë të vështirë energjetike, e cila ka përfshirë të gjithë rajonin. Kjo situatë na prek të gjithëve. Secili prej nesh duhet të limitojë konsumin e energjisë në punë e familje, pasi çdo kë i kursyer vlen në këtë kohë. Për ketë arsye edhe Ujësjellës Kanalizime Fier, në bazë të një plani të mirëmenduar dhe të mirëstudiuar, për të kursyer energji, por edhe për të mos rritur çmimin e ujit si efekt të krizës energjetike do të nisë aplikimin e kufizimit e furnizimit me ujë deri në përmirësimin e situatës.
Shpresojmë në mirëkuptimin tuaj, gjithashtu edhe që kjo situatë të kalojë sa më shpejt. Faleminderit!”, njofton Bashkia e Fierit.