Subvencionet në bujqësi, në Fier radhë të gjata për aplikime. Fermerët kërkojnë shtimin e sporteleve

Një javë nga mbyllja e afatit për aplikime për të përfituar mbështetje financiare nga shteti në bujqësi, radhët në Fier janë të gjata. Dhjetëra fermerë edhe këtë të enjte kërkojnë që aplikimin ta bëjnë duke u mbështetur nga specialistët e bujqësisë. Vijnë edhe nga Mallakastra, Patosi e Roskoveci e disa thonë se për të disatën herë u duhet të presin në radhë.
Prej datës 25 shkurt kur ka nisur aplikimi për skemat përfituese në bujqësi e blegtori në Fier janë kryer mbi 8000 aplikime, gjysma e tyre në sportelet e sektorit të bujqësisë në Fier dhe Agro Pika, ku çdo dite kryhen mbi 350 aplikime.
Aplikimet vijojnë deri më 25 mars, ndërsa skemat e subvencionimit përfshijnë sektorët e ndërtimit të serave, të blegtorisë dhe peshkimit, të furnizimit me naftë pa taksa e deri te inovacionet dhe digjitalizimi në bujqësi.
/rtsh/