Bashkia e Kavajës bllokon investimin rrugor, shkak cilësia e dobët në punime
Cilësia e punimeve në një rrugë të brendshme të qytetit të Kavajës ka shtyrë bashkinë që të kërkojë bllokimin e investimit nga investitori (Drejtoria e Përgjithshme e Rrugëve) dhe tashmë procedurat duket se do ti kalojnë prokurorisë ku bashkia ka ndërmend të paditë firmën zbatuese.
Megjithëse Bashkia e Kavajës drejtohet nga Partia Demokratike, kryetari i bashkisë, Refik Rrugia është shprehur ashpër në lidhje me punën që po bën firma zbatuese e punimeve për Unazën e qytetit. Ndonëse bashkia është vënë në siklet sepse për këtë aks rrugor është dhënë një fond i konsiderueshëm, fakti që rruga po prishet para se të inagurohet, ka bërë që ajo të njoftojë disa herë drejtorinë e përgjithshme të rrugëve dhe ministrin e Transporteve, Sokol Olldashi. Aktualisht gjenden në fazën e fundit, punimet për shtrimin dhe asfaltimin e pjesës së dytë të Unazës së Kavajës me gjatësi 1850 metër linear dhe vlerë 125 milion lekë. Kryetari i bashkisë ka thënë se "fillimisht projekti që ishte hartuar për pjesën e dytë të Unazës u hodh poshtë, ndërsa me fillimin e punimeve, firma shkaktoi dëme të konsiderueshme, të cilat ende nuk janë riparuar, si tek ujësjellësi i qytetit, kanalizimet dhe pusetat e tij. Asfalti që është shtruar ka filluar të prishet, probleme ka me nivelin e pusetave, trotuaret, rrugët lidhëse dhe gjithçka. Rruga do të përfundojë dhe do të dorëzohet tek ne, por kështu ajo nuk mund të merret në dorëzim". Debati për rrugën ka filluar pas reagimit të banorëve, që kanë kundërshtuar që në fillimin mënyrën e kryerjes së punimeve nga firma "Rubin Petrol", drejtuesit e të cilëve, sipas kryetarit të bashkisë, nuk kanë denjuar të dëgjojnë vërejtjet për problemet e ngritura. Investimi në fjalë ka gati një vit që ka filluar dhe përveç shkeljes së afatit të dorëzimit të punimeve, është përballur me ankesa të shumta për cilësinë e tyre. Nisur nga këto shqetësime kjo rrugë është inspektuar edhe nga ministri i Transportit Sokol Olldashi, por asgjë nuk ka ndodhur dhe duket se tani sherri është midis bashkisë së PD-së dhe qeverisë së PD-së, që përfaqësohet dy herë nga deputeti i zonës, që është edhe kryeministër Sali Berisha. Në fakt duket se do të jetë e vështirë që të bëhet realitet thënia e kryebashkiakut për të mos e marrë në dorëzim rrugën, pasi qeverisja aktuale po shpërndan me ngut fonde për investime në rrugë, duke kërkuar respektimin e afateve dhe madje përfundimin e tyre para datës së zgjedhjeve. Megjithatë zyrtarët e bashkisë "për çudi të Berishës" kanë shkuar akoma më tej duke bërë e ditur se firma zbatuese e punimeve do të paditet në prokurori.
Email This Klikime: 1
Email This Klikime: 1