Bashkia e Sarandës mbështet qytetarët e shpronësuar
Bashkia e Sarandës konkretizon hapat institucionalë në mbrojtje të qytetarëve të vet, të mbetur pa trojet pas kthimit një ish-pronari të 68 hektarëve tokë që gjendet poshtë Lëkurësit dhe mbi ish-Kampin e Pushimit të Punëtorëve në Sarandë. Tërë këto ditë pas mbledhjes së këshillit bashkiak që reagoi pozitivisht dhe vuri në qendër të axhendës së vet këtë shqetësim të qindra qytetarëve, administrata e bashkisë dhe drejtoritë përkatëse në të kanë përgatitur dokumentacionin që u drejtohet strukturave shtetërore në nivel lokal dhe qendror, në kërkim të zgjidhjes së problemit të tyre. Sekretarja e këshillit bashkiak, Polikseni Ikonomidhi, tha se është kompletuar dhe dërguar një korrespondencë e plotë, e nënshkruar nga kryetari i këshillit të bashkisë, Arjan Demiri, në institucionet dhe krerët më të lartë të shtetit. Në letrat e drejtuara në adresë të Presidentit të Republikës Bamir Topi, Kryeparlamentares Jozefina Topalli, Kryeministrit Sali Berisha dhe deri edhe grupeve parlamentare, thotë sekretarja Ikonomidhi, prezantohet me ndjeshmërinë e duhur shqetësimi i qytetarëve, duke theksuar se në mënyrë të njëzëshme këshilltarët janë shprehur pro tyre, pa u ndikuar nga përkatësitë partiake”. Në letrat që u janë drejtuar institucioneve qendrore, përveç kësaj, kërkohet prej tyre që të ndërhyhet pranë institucioneve të specializuara për verifikimin e tërë praktikës së ndjekur deri në regjistrimin si kthim prone të 68 hektarëve për shtetasin Avni Delvina. Në finale sugjerohet rrëzimi i vendimit nr.22, të datës 27.02.2009, të AKKP të Qarkut Vlorë dhe bërja e kompensimit të ish-pronarit në vend të kthimit të pronës së pretenduar.
Kryetari i Bashkisë së Sarandës, Edmond Gjoka, tha se nga bashkia është vepruar energjitikisht, duke ndërmarrë edhe hapa të shpejtë ligjorë, të kërkuar dhe të vendosur nga këshilli bashkiak. Drejtoria juridike, sipas tij, ka formuluar kërkesëpadinë drejtuar Gjykatës së Sarandës për bllokimin e veprimeve të mëtejshme hipotekore dhe të shitjes së mundshme nga pronari Delvina. Kryebashkiaku Gjoka i është drejtuar me një letër zyrtare Kryeministrit Berisha, përmes së cilës kërkohet zgjidhja e hallit të qytetarëve sarandjotë, duke e vlerësuar atë si një shqetësim që nuk mund të anashkalohet. Kështu, bashkiakët e Sarandës kanë treguar se realisht janë në krah të qytetarëve për shqetësimin e krijuar nga mbetja pa trojet e ndërtimit, pronarë të të cilave i ka bërë i njëjti institucion 11 vjet më parë.
#