E Diel, 1 Nëntor 2026

Bashkia e Tiranës: Plan masash për fëmijët në nevojë

TIRANE – Tirana sot është pjesë e kryeqyteteve botërore të cilët iu kushtojnë një vëmendje fëmijëve në Ditën ndërkombëtare të “Fëmijëve në Botën Urbane”.

E konceptuar si një bashkëbisedim me kryetarin e Bashkisë së Tiranës, fëmijë të komuniteteve rome dhe egjiptiane të cilët marrin shërbim në qendrën sociale shtëpia e ngjyrave, një projekt i përbashkët i Bashkisë dhe UNICEF, i kanë drejtuar zotit Basha disa kërkesa të cilat sipas tyre do të ndihmojnë në ndërtimin e qytetit që ata duan.

Basha ka dëgjuar kërkesat e tyre që lidheshin kryesisht me krijimin e kushteve dhe lehtësira për arsimin, situatën e tyre ekonomike, për ushtrimin e aktiviteteve sportive, kulturore etj.

Kryebashkiaku Basha tha se Bashkia do t’u kushtojë një vëmendje të veçantë këtyre fëmijëve duke nisur me regjistrimin e tyre e për të vijuar me arsimin dhe përfshirjen e tyre në aktivitete sportive dhe kulturore.

Basha nënvizoi se pa një situatë të mirë për familjet e këtyre fëmijëve nuk mund të ketë një të ardhme të mirë për këta fëmijë. Në këtë kuadër zoti Basha tha se politikat e Bashkisë do të përqendrohen tek prindërit e këtyre fëmijëve duke nisur nga rritja e shanseve për punësimin e tyre.

“Natyrisht, një rol të veçantë kanë prindërit, sepse një situatë më e mirë e prindërve do të thotë një situatë më e mirë juaja, ndaj për t’ju ndihmuar ju, ne do të përpiqemi të ndihmojmë edhe prindërit, në radhë të parë duke rritur shanset e tyre për punësim, në mënyrë që ata të mund të bëjnë detyrat e tyre si prindër karshi jush dhe ju të mund të shijoni jetën tuaj si fëmijë, por sigurisht duke marrë edhe përgjegjësitë tuaja dhe ku përgjegjësia kryesore e fëmijëve është shkolla”, -deklaroi Basha.

(er.nu/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›