Bashkia e Tiranës: S’do tolerohet asnjë ndërtim pa leje
Inspektorati Ndërtimor Urbanistik, aksion për prishjen e dy objekteve pa leje në njësitë bashkiake nr.1 dhe 5
Njëkohësisht me aksionet për prishjen e ndërtimeve pa leje, Bashkia e Tiranës i bën sërish thirrje qytetarëve të ndalin ndërtimet në kundërshtim me ligjin, pasi asnjë prej tyre s’do të tolerohet. Inspektorati Ndërtimor Urbanistik i Bashkisë së Tiranës vijon me identifikimin e ndërtimeve pa leje si dhe sekuestrimin e betonierëve apo objekteve të tjera, të cilat do të goditen me forcën e ligjit nga ana e INU
Inspektorati Ndërtimor ka vijuar edhe dje aksionin për prishjen e ndërtimeve pa leje në kryeqytet. Gjatë orëve të paradites, ky aksion ka konsistuar fillimisht në prishjen e një lavazhi në rrugën “Shyqyri Ishmi”, pranë Xhamisë së Tabakëve, në njësinë bashkiake nr.1. Objekti në fjalë ishte i paligjshëm, pasi nuk kishte leje për zhvillimin e aktivitetit dhe nuk dispononte leje për ndërtim lavazhi. Pas depozitimit të një numri të madh ankesash nga banorët e zonës përreth, nisur edhe nga ndotja e madhe mjedisore dhe akustike që krijonte por edhe nga shpërdorimi pa kriter i ujit të pijshëm, Inspektorati Ndërtimor ka ndërhyrë duke e kthyer këtë objekt në gjendjen e tij fillestare.
Një tjetër objekt i paligjshëm i është nënshtruar sot prishjes nga ana e Inspektoratit Ndërtimor dhe ka qenë një shtesë anësore në katin e tretë të një pallati, në rrugën “Gjin Bue Shpata”, pranë stadiumit “Dinamo”, pjesë e njësisë bashkiake nr.5.
Inspektorati Ndërtimor Urbanistik i Bashkisë së Tiranës vijon me identifikimin e ndërtimeve pa leje si dhe sekuestrimin e betonierëve apo objekteve të tjera, të cilat do të goditen me forcën e ligjit nga ana e INU. Inspektorati u rikujton qytetarëve, të mos ndërmarrin iniciativa të cilat bien ndesh me ligjin, duke shprehur kështu vendosmërinë për të mos toleruar asnjë ndërtim pa leje në territorin e Bashkisë së Tiranës.
Si i mashtroi Edi Rama qytetarët për legalizimin e ndërtimeve pa leje/Procesi i legalizimeve ndër vite ka patur një ecuri relativisht të ngadaltë, kjo për pasojë edhe të mirëstudimit të vendndërtimeve si dhe përputhshmëria e tyre me planet urbanistike. Sikurse legalizimi ka edhe një faturë të caktuar. Edi Rama premtoi dhe u zotua gjatë fushatës elektoral se qytetarët do përfitonin falas legalizimin e të gjitha ndërtimeve pa leje. Që prej 23 qershorit s’po flitet më për këtë premtim, ndërsa ka një gatishmëri të qeverisë në detyrë që, procesi i legalizimeve të mbyllet deri në fund të vitit. Por, kjo qeveri e lë detyrën në shtator dhe ia kalon atë qeveritarëve socialistë. Pikëpyetje të mëdha ngrihen tani me mënyrën si do të trajtohen legalizimet në proces nga qeveria në ardhje dhe nëse do të ketë ndryshime të tjera ligjore që do të lidhen direkt me procesin, pas premtimeve “madhore” gjatë fushatës. Pritshmëritë janë që PS dhe qeveria e saj, ta çojnë procesin e legalizimit drejt dështimit dhe për këtë sigurisht që s’do mbajnë përgjegjësi, përveç se do duartrokasin për mashtrimin që iu faturuan qytetarëve. Ishin pikërisht deklaratat e tij për legalizime masive që mbinë si kërpudhat pas shiut, ndërtimet anekënd vendit, sidomos në Tiranë. E thënë shkurtimit, qytetarët u mashtruan pasi legalizimi i ndërtimeve pa leje është e pamundur. Edi Rama duhet të mbajë përgjegjësi edhe për këtë katrahurë që kurdisi.