Bashkia e Tiranës dhuron "bredha" për fëmijët në nevojë
Me rastin e festave të fundvitit, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Edi Rama, ka menduar t‘u vijë në ndihmë disa prej familjeve në nevojë. Rama ka zgjedhur disa prej familjeve që jetojnë në kushte të vështira ekonomike dhe që nuk kanë mundësi t‘u blejnë fëmijëve të tyre as pemën e vitit të ri. Edhe pse kudo ndihet atmosfera festive, ka edhe nga ato familje që nuk kanë mundësi të blejnë as pemën e vitit të ri, për të kënaqur fëmijët e tyre. Vogëlushët e këtyre familjeve nuk mund të gëzojnë njësoj si bashkëmoshatarët e tyre. Për këtë arsye, kryebashkiaku është ndalur në një familje ku mbizotëron varfëria, në lagjen "Ali Demi". Ai u ka dhuruar fëmijëve të kësaj familjeje pemën aq të dëshiruar të vitit të ri, duke sjellë atmosferën dhe gëzimin e festave të fundvitit. "Ne shpresojmë t‘u kemi dhënë gëzim këtyre fëmijëve. Janë miq, familje, ku ne do të çojmë 100 pemë, bashkë me babagjyshin e Vitit të Ri", tha Rama. Kjo, sipas tij, do të shërbejë për t‘u dhënë fëmijëve të familjeve që për fat të keq nuk kanë mundësi të festojnë normalisht këtë kënaqësi të madhe të trokitjes së babagjyshit të Vitit të Ri te dera e shtëpisë. Shtëpia e vizituar dje nga kryebashkiaku, mban 2 fëmijë jetimë, të cilët kanë humbur babanë dhe rriten nga gjyshërit. Për pasojë, fëmijët jetojnë me pensionet modeste të gjyshërve të tyre, që për fat të keq e kanë të pamundur t‘ua sigurojnë atmosferën e gëzueshme të festave në shtëpi. Kryetari i bashkisë, së bashku me fëmijët, kanë zbukuruar bredhin e vitit të ri. Ndërkohë që deri natën e ndërrimit të viteve, babagjyshi i Vitit të Ri do të trokasë në 100 dyer të tjera, për të dërguar pemën dhe dhurata për fëmijët e familjeve në nevojë, në qytetin e Tiranës.
Sh.Me.