Roçen: Njohja e Kosovës punë e kryer
Mali i Zi nuk ka arsye që të presë vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë për të vendosur marrëdhënie diplomatike me Kosovën, ka thënë ministri malazez i Punëve të Jashtme, Milan Roçen. "Ky është një tregim i përfunduar. Kur e njihni një vend, atëherë është logjike faza tjetër - vendosja e marrëdhënieve diplomatike", ka thënë Roçen për gazetën "Vijesti". "Kur kemi vendosur për njohjen e Kosovës, jemi udhëhequr nga mendimi shumicë i BE-së. Edhe në bazë të mendimit të Gjykatës së Hagës do të kemi të njëjtin qëndrim", tha Roçen. Në konstatimin e gazetarit se Presidenti malazez, Vujanoviç dhe zv.kryeministri Maroviç kanë deklaruar se do të respektojnë vendimin e Gjykatës së Hagës, dhe nuk do të vendosen marrëdhëniet me Kosovën deri në vendimin e gjykatës, Roçen ka thënë se "këto janë mendime të njerëzve të përgjegjshëm në pushtetin e Malit të Zi, ndërsa qeveria e cila udhëheq me politikën e jashtme ka vendimin e saj për njohjen e Kosovës, realizimi i së cilës do të rrumbullakësohet me vendosjen e marrëdhënieve diplomatike. Për këtë është e ngarkuar Ministria e Punëve të Jashtme", ka thënë shefi i diplomacisë malazeze.