Bashkia e Tiranës, do nisë punën për planin e ri urbanisitik
Bashkia e Tiranës, do të nisë punën për planin e ri urbanistik. Kryebashkiaku Lulzim Basha, më datën 8 shtator, do të nisë punën për hartimin e planit të ri urbanistik, gjatë takimit që do të ketë me përfaqësuesit më në zë të botës akademike dhe ekspertë të tjerë të njohur të fushës së arkitekturës dhe urbanizimit.
Parimet kryesore që do të kihen parasysh gjatë këtij procesi janë; zhvillimi i qëndrueshëm i qytetit, harmonizimi i interesave publike dhe interesave private që do të rezultojë në mbrojtjen e hapësirave publike dhe atyre të gjelbra, harmonizimi me komunat dhe bashkitë përreth Tiranës, dhe arritja e një konsensusi sa më të gjërë me banorët e Tiranës.
“Plani i ri urbanistik do të synojë përmirësimin e transportit publik, lehtësimn e trafikut, përmirësimin e sistemit të mbledhjeve dhe trajtimit të mbeturinave urbane dhe bërjen e Tiranës një qytet më të jetueshem dhe më atraktiv për banorët e tij. Plani do të synojë zbatimin e një formule të menaxhimit të pronës private në mënyrë që të evitojë spekullimet dhe të sigurojë një shpërndarje sa më të drejtë të përfitimeve të zhvillimit.Drejtori tha më tej, se aksionet janë shtuar në të gjithë territorin e qytetit të Tiranës”, thuhet në deklaratën për shtyp, të Bashkisë së Tiranës.
Po ashtu, Bashkia informon se në procesin e hartimit të planit të ri urbanistik për Tiranën, do të përfshihen shumë ekspertë dhe personalitete të njohura, sidomos ato të universiteteve dhe botës akademike, të njohur për paanshmërinë e tyre dhe mospërfshirjen në interesa klienteliste. “Procesi i hartimit të planit do të jetë transparent dhe do të mundësojë përfshirjen dhe dëgjimin e zërit të qytetarëve”, informon bashkia.