E Diel, 1 Nëntor 2026

Bashkia e Tiranes do te hape nje qender te re dedikuar moshes se trete

Në Ditën Botërore të kujdesit ndaj moshës së tretë, zëvendëskryetarja e Bashkisë, Jorida Tabaku iu bashkua të moshuarve që marrin shërbime ditore në Qendrën Sociale Multidisiplinare. Tabaku tha se në shembullin e kësaj qendre e cila u rihap një vit më parë, do të projektohen  edhe qendra të tjera. 

"Në Bashkinë e Tiranës së shpejti do të hapet edhe një qendër tjetër, e dedikuar për moshën e tretë dhe në bashkëpunim me pushtetin qendror, ne po punojmë për të  hapur edhe azile të tjerë  për qytetin e Tiranës, sikundër në bashkëpunim me sektorin privat, do të shtojmë mbështetjen për grupin e moshës së tretë" – vlerësoi ajo.
Nga ana e tij, zëvendëskryetari i Bashkisë së Tiranës, Petrit Vasili i cili ishte sot në këtë azil, theksoi se Bashkia e Tiranës po vazhdon angazhimin e saj, për t’i dhënë edhe kësaj shtrese, ngrohtësinë dhe shërbimin që meriton.

“Për ne, është kënaqësi e madhe që të ndajmë së bashku këtë ditë. Meraku i Bashkisë së Tiranës dhe i Kryetarit të saj si edhe i gjithë stafit është që duke bashkëpunuar në mënyrë të vazhdueshme, të kemi gjithmonë e më shumë ditë të mira gjatë gjithë vitit, sepse viti është i gjatë dhe ne kemi nevojë për më shumë se një ditë, ndaj duke menduar se në fund të fundit, përpara çdo gjëje tjetër, edhe bisedat bëhen me një kafe përpara, Bashkia e Tiranës i dhuron azilit një aparat kafeje dhe të gjithë kafenë e paguar deri në fund të vitit, në mënyrë që ai moment ku ne shkëmbejmë edhe mendimet por edhe qajmë hallet, por flasim edhe për gëzimet apo për ndonjë gjë që nuk shkon mirë, gjithmonë na mbledh një kafe. Duam që kjo të jetë një kafe, që ta pimë gjatë gjithë vitit. Bashkia e Tiranës do të jetë edhe në ditë të tjera, jo vetëm në ditën që kremton dhe u uron të gjithëve, pleqëri të qetë pa probleme psikologjike apo shëndetësore dhe ta ndajmë sëbashku këtë dhe ditët e tjera që do vijnë”, deklaroi  Vasili.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›