E Diel, 1 Nëntor 2026

Bashkia e Tiranës, standarde të dyfishta



Rama zbaton dy standarde kur bëhet fjalë për të shitur tokën e shtetit tek miqtë dhe tek anonimët. Kështu është shprehur dje ministri i Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit, Sokol Olldashi, duke iu rikthyer edhe një herë çështjes së shitjes së truallit publik prej 1310 m shoqërisë “Tajvani” sh.p.k., me pronar z. Besnik Sula. Ministri publikoi dje për median fakte të reja rreth kësaj afere. “Do t’ju risjell edhe njëherë në vëmendje kontratën e shitjes së kësaj pasurie të paluajtshme, ku çmimi i shitjes është i përcaktuar në nenin 5 dhe është 12 mijë lekë të reja për m2, pra 120 mijë lekë të vjetra ose e përkthyer në valutë të fortë 97 euro për m2 për një truall në qendër të Tiranës. Kam dëgjuar Bashkinë e Tiranës që pas prononcimit tim doli dhe tha që ky është çmimi i tregut, ndërkohë që të gjithë e dimë që ky nuk është çmimi i tregut, sepse çmimi i truallit në qendër të Tiranës ka një diferencë shumë të madhe nga ai që është servirur nga Bashkia e Tiranës”, - është deklaruar dje ministri Olldashi. Për të provuar gënjeshtrën e radhës së Bashkisë së Tiranës, ministri Olldashi bëri publike dje një shkresë të Bashkisë së Tiranës. Ai publikoi për gazetarët një shkresë në datën 29.10.2004, me nr. protokolli 10156, e firmosur nga znj. Belinda Ikonomi, drejtore pranë Bashkisë së Tiranës. “Çështja që shtrohet në këtë shkresë ka të bëjë me çmimin e truallit që rrethon ish-hotel “Dajtin”, i cili në vitin 2004 u fut në proces shitje, pavarësisht se shitja nuk u krye dhe në vlerësimin e Bashkisë së Tiranës çmimi me të cilin duhej të shitej trualli përballë hotel “Dajtit” është 1500 euro për m2. Pra kemi këto fakte, në tetor të vitit 2004, Bashkia e Tiranës, truallin përballë hotel “Dajtit” e vlerëson me 1500 euro për m2, në maj 2005, katër muaj më vonë, çmimi matanë rrugës, në lulishten e “Tajvanit” e vlerëson me 97 euro për m2”, - sqaroi më tej Olldashi. Duke publikuar këto fakte, ai shtoi: “Atëherë çdokush ka të drejtën të shtrojë pyetjen, cili është argumenti që shpjegon diferencën e tmerrshme nga 1500-ta tek 97-ta për troje publike që janë ekzaktësisht në të njëjtën zonë, përballë njëra–tjetrës. Cili është shkaku përveç faktit që Besnik Sula është një biznesmen i rrethit të interesave të z. Rama dhe ky çmim është vetëm një favor totalisht klientelist që kryetari i bashkisë i ka bërë ortakut të tij, politik apo qoftë financiar”.

Olldashi tha se “janë brenda të njëjtit kuadër ligjor, të bazuar në të njëjtat ligje, të bazuara në të njëjtat rregullore që funksiononin, si dhe të bazuara në të njëjtat rregulla të përcaktimit të çmimit të truallit publik dhe kemi njërën me 97 euro dhe tjetrën me 1500 euro. Pse? Sepse të parën do ta blinte Besnik Sula dhe të dytën nuk dihej kush do ta blinte. Pra për blerësin anonim aplikohet çmimi 1500 euro, që është si çmim i përafërt me vlerën e tregut, për klientin e z. Rama, për z. Sulo, aplikohet çmimi 97 euro ose 6.4 % e çmimit real”. “Nëse i referohemi çmimit prej 1500 euro si çmim real i truallit në qendër të Tiranës, çmimi që është aplikuar për z. Sula është vetëm 6.4 % e çmimit real. Unë do t’ju vë në dispozicion të dyja dokumentet, në mënyrë që ju të keni mundësi për t’i ekzaminuar në mënyrë të hollësishme dhe për të parë, se cila është diferenca në standardet që aplikon Bashkia e Tiranës ndaj atyre që janë klientë dhe ndaj atyre që nuk janë klientë të saj”, - tha Olldashi.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›