E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bashkia e Vlorës, "Ylli ndërkombëtar i lidershipit në cilësi"

Bashkia e Vlorës fiton çmimin "Ylli Ndërkombëtar i Lidershipit në Cilësi", në Paris. Performanca e lartë, menaxhimi i mirë i territorit urban, administrimi i të ardhurave nga taksat dhe tarifat vendore, kanë qenë "pluset" e Bashkisë së Vlorës. Vlerësimi ka ardhur pas sondazheve që janë bërë me kompani ndërkombëtare, banka që operojnë në Vlorë dhe në vend, trupit diplomatik të akredituar në Shqipëri dhe ambasadave të huaja në Tiranë, etj. Bashkia e Vlorës u përzgjodh nëpërmjet një sistemi të votave, sondazheve dhe rekomandimeve. Kompanitë e vlerësuara me këtë çmim në vitet e mëparshme kanë pasur privilegjin e votimit për kompanitë që njohin apo me të cilat ato kanë marrëdhënie të biznesit. Në rastin e Bashkisë Vlorë, kërkesat kanë ardhur nga institucione të ngjashme publike nga vende të ndryshme të botës, me të cilat Bashkia Vlorë ka pasur marrëdhënie bashkëpunimi, kontakte për shkëmbim eksperiencash apo trajtim të problemeve që lidhen me qeverisjen vendore në takime ndërkombëtare. Ky aktivitet konsiderohet si një ngjarje me rëndësi të madhe në promovimin e vlerave dhe kulturës së cilësisë së drejtimit për biznesin në mbarë botën. Në ceremoninë e dorëzimit të çmimit, kreu i bashkisë së Vlorës, Shpëtim Gjika është shprehur mjaft i kënaqur dhe ka ftuar të investohet në qytetin bregdetar që ai drejton. "Le të jetë çmimi ‘Ylli i Cilësisë‘ dhe ky auditor i nderuar një ftesë për ju për të investuar në Vlorë dhe për të shijuar bukuritë dhe resurset turistike të qytetit tonë. Edhe pse po përjetojmë një krizë ekonomike globale, ne ju ofrojmë partneritet serioz, transparencë dhe siguri për investimet tuaja", ka thënë Gjika.

Prezantimi i çmimeve "International Star for Leadership in Quality", Paris 2009, u organizua nga B.I.D (Business Initiative Directions) dhe drejtua nga Jose E.Prieto, President dhe CEO i "Business Inititive Directions", me pjesëmarrjen e personaliteteve nga bota e biznesit dhe trupi diplomatik.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›