E Shtunë, 31 Tetor 2026

Spitalet, 30% e fondeve për shpërblime

Të gjithë spitalet e kontraktuar nga Instituti i Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor do të mund të përdorin në masën 100% të ardhurat dytësore që do të mbledhin. 30% e këtij fondi do të kalojë për shpërblimet e të gjithë stafit spitalor, në mënyrë që të shmanget abuzimi dhe të garantohet një administrim sa më eficient i këtyre të ardhurave.

Në një mbledhje të zhvilluar dje, Këshilli Administrativ i ISKSH-së mori vendimin për shpërndarjen e të ardhurave që realizohen nga vetë spitalet.

"Ky është një vendim shumë i rëndësishëm për ecurinë dhe mbarëvajtjen e spitaleve, pasi po vendosim që të ardhurat dytësore dhe të ardhurat e tjera të mund të përdoren 100% nga vetë spitali, në bazë të një ndarjeje të caktuar të zërave, që është: 30% për investime, 40% për mallra dhe shërbime (kryesisht medikamente) dhe 30% për shpërblime", u shpreh në mbledhjen e Këshillit Administrativ, drejtoresha e ISKSH-së, Elvana Hana. Ajo shtoi se "përpos buxhetit të përcaktuar të çdo spitali, do të bëhet i mundur edhe përdorimi i këtyre të ardhurave, për të cilat ne kemi menduar që pjesën kryesore ta kenë barnat dhe materialet e tjera mjekësore, pasi aty kanë qenë dhe mungesat më të mëdha. Në të njëjtën kohë mund të bëhen dhe investime të vogla, si dhe të stimulohet personeli shëndetësor me pagesa më të larta".

Në këtë udhëzim janë përcaktuar raportet e përdorimit të të ardhurave nga aktiviteti i spitalit, të cilat përbëhen nga të ardhurat prej tarifave që paguajnë personat e pasiguruar; të ardhurat nga kryerja e analizave të ndryshme, dhënia e vërtetimeve, kryerja e ekzaminimeve terciare dhe të ardhura nga aktiviteti ekonomik dytësor etj. Përdorimi i këtyre të ardhurave parashikohet të jetë në masën 40% për mallra e shërbime, 30% për investime dhe 30% për shpërblime për personelin e spitalit. Përcaktimi i këtyre raporteve, sipas drejtuesve të ISKSH-së, lidhet me disa faktorë. Kryesisht me nevojat për mallra e shërbime, veçanërisht për medikamente e materiale të tjera mjekimi, që janë në rritje. Ndërkohë që, një vend të rëndësishëm zë edhe kryerja e investimeve për të cilën është përcaktuar përdorimi i një fondi prej 30% të të ardhurave totale. Kjo, pasi edhe sipas vendimit të Këshillit të Ministrave, investimet përballohen nga ana e Ministrisë së Shëndetësisë, pra e kanë një burim financimi. Shuma e lënë për investime parashikohet të përballojë një pjesë të investimeve, veçanërisht të atyre me vlera të vogla. Në udhëzim është parashikuar që 30% e të ardhurave të realizuara nga vetë spitali të përdoren për dhënien e shpërblimeve për punonjësit. "Përdorimi për shpërblim synon rritjen e interesit, veçanërisht të punonjësve që i realizojnë këto të ardhura dhe me qëllim shmangien e abuzimeve dhe administrimin sa më mirë të tyre. Edhe në këtë pikë udhëzimi vendos kufizimin për dhënien jo më shumë se të dy pagave mujore shpërblim, me qëllim që nga këto të ardhura të përfitojnë sipas kontributit të gjithë punonjësit e spitalit", pohojnë drejtuesit e ISKSH-së. Ata shpjegojnë gjithashtu se për realizimin e shpenzimeve nga të ardhurat e realizuara do të përdoren rregullat e prokurimit publik si për investimet, ashtu edhe blerjen e mallrave e shërbimeve. Ndërsa theksojnë se të ardhurat e realizuara nga spitalet do të përdoren totalisht prej tyre. "Kjo do t‘u krijojë spitaleve burime shtesë financiare, duke mundësuar plotësimin e një pjese të nevojave për mallra, shërbime e investime dhe stimulimin e punonjësve nëpërmjet dhënies së shpërblimeve", garanton ISKSH.

Të ardhurat dytësore

Shërbimet

Të ardhurat nga tarifat e shërbimeve që u kryhen pacientëve, të cilët nuk kanë rekomandimin e mjekut të përgjithshëm e të familjes, si të ardhurat nga vizitat, analizat dhe ekzaminimet e ndryshme, lëshimi i vërtetimeve për efekt dokumentacioni, sipas tarifave të përcaktuara nga Këshilli i Ministrave e Ministria e Shëndetësisë

Ekonomike

Të ardhurat nga veprimtaria ekonomike, si nga qiratë, parkingu i automjeteve në territoret e spitaleve, shumat e paguara nga ISKSH për shërbimet ekzaminuese unikale terciare, sipas listës së shërbimeve dhe tarifave përkatëse të parashikuara, shërbime kancelarie, fotokopje, shtypshkrime të ndryshme, si dhe të ardhura të tjera


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›