E Shtunë, 31 Tetor 2026

Formula Kaos, në garën e Melburnit dominon Braun GP

Quhet Formula 1, por që prej provave zyrtare të së shtunës mund të "pagëzohet" Formula Kaos. Botërori 2009 kishte nisur mes polemikave për shkak të ndryshimeve që Braun GP, Tojota dhe Uilliams kanë bërë në aerodinamikë. Mënyra sesi ato kanë interpretuar rregullat e reja, cilësohet si shkelje nga skuadrat e tjera: një çështje për të cilën FIA do të marrë një vendim zyrtar më 14 prill. Gjithsesi, në provat zyrtare të Çmimit të Madh të Australisë, gara e parë për këtë sezon, problemet më të mëdha janë shkaktuar nga paketa e marsheve dhe nga bishti në pjesën e pasme të makinave. Ashtu siç parashikohej, pas provave të lira të së premtes, protagoniste ishte sërish "e porsalindura" Braun GP. Edhe pse kishin ngarkesë më të madhe me benzinë se rivalët, Xhenson Baton dhe Rubens Barrikelo u kualifikuan në dy vendet e para dhe janë shndërruar në pilotët që duhen mposhtur. Koha e tretë më e mirë u regjistrua nga Sebastian Fetel me Red Bull, ndërsa pas tij u klasifikua polaku Robert Kubika me BMW-Sauber. Nga vendi i pestë në vijën e startit është Niko Rosberg me Uilliams. Edhe pse u rendit i gjashti, Timo Glok me Tojota u skualifikua, e të njëjtin fat kishte edhe shoku i tij i skuadrës Jarno Truli (i teti pas mbylljes së provave). Nga problemet e skuadrës japoneze përfitoi Ferrari, duke qenë se Masa dhe Raikonen, që fillimisht ishin në pozicionet shtatë dhe nëntë, sot do të nisen nga vendi i gjashtë dhe i shtatë. Më i keq debutimi i Fernando Alonsos dhe Luis Hemilton. Spanjolli i Renaultit nuk ka arritur më shumë se vendi i 12-të (më pas kaloi në të 10-in), ndërsa kampioni i botës në fuqi i MekLarenit ishte vetëm i 15-ti. Por, pasi vendosi të ndryshojë paketën e marsheve, britaniku u spostua në vendin e fundit. Për fatin e tij të mirë, komisarët e pistës vendosën të skualifikonin dy makinat Tojota dhe Hemilton rifitoi dy vende. Glok dhe Truli u ndëshkuan për bishtin e pjesës së pasme të makinës, që ishin mjaft fleksibël, pra kundër rregullave. Sikur kjo të mos mjaftonte, rreth tri orë përpara mbylljes së provave, Uilliamsi apeloi kundër Ferrarit dhe Red Bullit, duke i akuzuar për shkelje në aerodinamikë. Por, më pas skuderia angleze i tërhoqi këto pretendime.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›