Bashkia e vendosur të mos lejojë punime pa cilësi në rrugët e Tiranës
Drejtori për Menaxhimin e Shërbimeve të Infrastrukturës, z. Rigels Balla: Jo asfalte elektorale
“Bashkia e Tiranës është e vendosur për ta shkëputur qytetin nga balta dhe pluhuri i trashëguar”. Kështu u shpreh gjatë një deklarate për mediat, drejtori për Menaxhimin e Shërbimeve të Infrastrukturës, z. Rigels Balla. Ai tha se për këtë, Bashkia ka nisur vetëm me buxhetin e vitit 2012 investimet në 47 rrugë të qytetit, një pjesë e të cilave nuk e kanë parë kurrë asfaltin apo kanë njohur thjesht dhe vetëm asfaltin elektoral. “Krahas nisjes së investimeve ne jemi të vendosur edhe bërjen e tyre me cilësi. Ne, jemi të vendosur që të monitorojmë hap pas hapi cilësinë e investimeve që kryhen në Tiranë dhe të mos kolaudojmë asnjë rrugë apo investim tjetër në Bashkinë e Tiranës që të mos plotësojë kushtet teknike dhe standardet e parashikuara më parë në projekt.
Të njëjtën gjë kemi bërë dhe me rrugën “Thanas Ziko”. Disa ditë më parë u konstatua se punimet në këtë rrugë nga kompania “Sinder AB shpk & Klajger Konstuksion” nuk po kryheshin sipas kushteve teknike të parashikuara në projektin e zbatimit, dhe u pezulluan menjëherë këto punime duke i lënë detyrë firmës zbatuese që të bëhen edhe njëherë të gjitha punimet në këtë rrugë pa asnjë kosto shtesë për qytetarët e Tiranës, punime të cilat kanë nisur aktualisht. Kjo praktikë e cila u zbatua për herë të parë në Bashkinë e Tiranës, edhe pse punimet e dikurshme pa cilësi në këtë qytet hasen kudo, do të vazhdojë në çdo punë publike që kontraktohet nga Bashkia e Tiranës. Është për të ardhur keq që pas marrjes së këtij vendimi disa këshilltare të Partisë Socialiste çuditërisht në vend që ta përshëndesnin këtë praktike të re, i frynë trumpetave të luftës politike. Kjo nuk i shërben qytetarëve të Tiranës. Standardi i vendosur në këtë praktikë është në përputhje të plotë me angazhimin tonë për t’u shërbyer qytetarëve të Tiranës”- tha ai.