E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bashkia ngre agjenci për mbrojtjen e konsumatorit vetëm për tu dhënë nga një pagë të dytë disa zyrtarëve. Në agjenci edhe Altin Goxhaj i Zgjohu

Nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, Edmond Panariti, të cilit kryebashkiaku i la detyrën të merret me mbrojtjen e konsumatorit, ka prezantuar sot Agjencinë për Mbrojtjen e Konsumatorit. Në ditën e prezantimit të tij, Panariti tha se e kishte sfidën e tij primare ngritjen e Agjencisë për Mbrojtjen e Konsumatorit. Në të vërtetë nuk paska qenë një sfidë e vështirë pasi pesë ditë më pas, Panariti e ka ngritur këtë agjenci. Struktura e re, sipas njoftimit të bashkisë, do merret me verifikimin e rasteve të spekulimit më çmimet. Këta rrogtarë të rinj do bëjnë të njëjtën punë në dy vende të ndryshme, duke marrë dy paga. Kështu, një tjetër strukturë parazite do i shtohet administratës shqiptare, vetëm sa për ta fryrë atë. Por një gjë të bie në sy. Në grupin e personave që do përbëjnë këtë agjenci do jetë edhe Altin Goxhaj, njeriu i Lëvizjes Zgjohu, që harxhoi mijëra e mijëra euro nga paratë e taksapaguesve shqiptarë për të bërë spote kundër opozitës. Ai do na mbrojë tani e tutje konsumatorët shqiptarë. Një zhvatës tipik OJQ-sh, emri i të cilit u përdor barbarisht nga pushteti për të abuzuar me paratë tona, do marrë një tjetër rrogë sërish nga paratë tona.

Nënkryetari Panariti do duhet të shpjegojë se përse ky grup njerëzish, të cilët formojnë këtë agjenci, që në fakt kanë për detyrë pikërisht mbrojtjen e konsumatorit në punët që bëjnë, do marrin edhe një rrogë shtesë në bashki. Më poshtë është lista e personave që përbëjnë agjencinë:

Profesor Gani Moka – Drejtor i Drejtorisë së Sigurisë dhe Cilësisë së Ushqimit në Ministrinë e Bujqësisë dhe Mbrojtjes së Konsumatorit (MBUMK)

Dr. Teita Myrseli – Drejtore e Institutit të Sigurisë Ushqimore dhe Veterinarisë

Prof. Dr. Enver Roshi – Drejtor i Institutit të Shëndetit Publik

Avokat Altin Goxhaj – Drejtor i Zyrës për Mbrojtjen e Konsumatorit në Tiranë.

Dr.Ariela Struga – Drejtore e Drejtorisë së Vlerësimit të Riskut – Autoriteti Kombëtar i Ushqimit.

Dr.Zef Preci – Drejtori i Qendrës Shqiptare për Kërkime Ekonomike

Dr.Pranvera Kastrati – Drejtore e Mbikëqyrjes së Tregut, në METE.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›