Kina jep nga Shqipëria mesazhe solidariteti për euro-n. Kryediplomati në Tiranë për Telekomin
Agjencitë më të njohura si AFP, Reuters, etj, i referohen deklaratës së ministrit të Jashtëm kinez, Yang Jiechi, bërë për gazetarët shqiptarë, ku shprehet besimi tek monedha evropiane nga Kina. Së fundmi Kina ka deklaruar se është gati të blejë borxhet e shteteve në krizë në Europë, për të ndihmuar në daljen nga kriza. Në intervistën e tij, Jiechi ka thënë se Kina Beson tek një Europë e qëndrueshme.
Kriza mbizotëruese europiane e borxhit është duke u shtrirë edhe më tej. Disa vende po përballen me paqëndrueshmëri të vazhdueshme në tregjet financiare dhe duke rritur rrezikun e borxheve. Kina i kushton një rëndësi të madhe impaktit të problemit të mbizotërimit të borxhit në zhvillimin ekonomik dhe shoqëror të Europës. Ne mbështesim masat proaktive të marra nga Bashkimi Europian dhe nga Fondi Monetar Ndërkombëtar, për të sjellë sërish në Europë stabilitetin dhe rritjen. Kina po ashtu ka ndërmarrë një numër hapash pozitive brenda mundësive të saj, për të ndihmuar vendet europiane për të luftuar krizën. Kina beson se një Europë e zhvilluar dhe e qëndrueshme është me rëndësi për zhvillimin dhe qëndrueshmërinë e botës. Si një investues i përgjegjshëm në tregjet ndërkombëtare financiare, Kina ka pasur gjithmonë besueshmërinë në zonën Euro dhe te monedha Euro dhe e ka trajtuar tregun financiar europian si një nga destinacionet primare të investimeve. Poziçioni i Kinës ka luajtur një rol pozitiv në shtrirjen e stabilitetit në tregjet financiare ndërkombëtare dhe në rritjen e besimit të vendeve europiane dhe të investuesve evropianë, tha Jiechi.
Zyrtari i lartë kinez viziton Shqipërinë në kuadër të një turi në disa vende të ndryshme të botës. Mendohet se në qendër të diskutimeve të tij do jetë edhe shitja e kompanisë Albtelekom tek një firmë kineze.