Bashkia nis punën për rrugën e re te Bërryli

Nisja e punimeve në rrugën e re
Pas shpronësimeve të pronarëve, aksi i ri do të lidhë bulevardin Bajram Curri me Ali Demin
Bashkia: Do të çlirojë trafikun dhe do të reduktojë nivelin e ndotjes.
Nisin punimet për aksin e ri që do të lidhë rrugën Ali Demi me bulevardin Bajram Curri në Tiranë. Pas vendimit për shpronësimin e pronarëve, i është hapur udhë ndërtimit të kësaj rruge që nis në zonën e njohur si Bërryli. Nga sa bëri me dije Bashkia e Tiranës, me këtë ndërhyrje do të çlirohet trafiku dhe do të reduktohet niveli i ndotjes.
Aksi i ri do të ketë një gjatësi prej 312 metrash, me një gjerësi prej 15 metrash. Në dy anët e rrugës janë parashikuar xhepa parkimi me gjerësi 2 metra. Trotuaret në të dyja anët e rrugës do të kenë gjerësi 2,5 metra.
Zonat e gjelbra do të shtrihen në hapësirat midis godinave të banimit dhe trotuareve. Përgjatë rrugës do të ketë ndriçim dhe do të ndërtohet i gjithë rrjeti i nevojshëm i ujësjellësit, kanalizime të ujërave dhe ujërave të shiut, sqaroi Bashkia e Tiranës. Fondi për këtë investim në rrugën Hasan Sufa është parashikuar të jetë 40 milionë lekë. Nisja e punimeve është paraprirë nga shpronësimet e tokës, të shtëpive dhe objekteve të tjera që preken nga ndërtimi i kësaj rruge, sqaroi Bashkia. Sipas saj, me një fond prej 122.7 milionë lekësh janë shpronësuar 11 familje dhe dy të tjera pritet të konfirmojnë dokumentacionin e plotë, në bazë të vendimit përkatës të Këshillit të Ministrave. Shpronësimet janë bërë me vlerën e tregut sipas të dhënave të vëna në dispozicion nga ZRPP. Bashkia e Tiranës, krahas vendosmërisë për të ndërtuar dhe rikonstruktuar infrastrukturën e qytetit, do të respektojë çdo pronar duke i kompensuar për çdo centimetër tokë të prekur nga investimet publike, thuhet në deklaratën e Bashkisë së Tiranës. Vetëm pak javë më parë, Këshilli i Ministrave miratoi vendimin për çeljen e fondit të shpronësimit të pronarëve të truallit që preken nga ndërtimi i rrugës.