Bashkia nis punimet në sheshin "Skënderbej"
Punimet do të kryhen në blloqe pune, për të evituar mbylljen e të gjithë sheshit njëkohësisht
Rama: Bashkëpunim për rehabilitimin e sheshit. Ti shërbejë individit, dhe jo turmave
Situatën në sheshin "Skënderbej", në qendër të kryeqytetit e ka marrë në dorë Bashkia e Tiranës. Pas ndërhyrjes së Ministrisë së Transporteve e cila vetëm dy ditë më parë nxori në terren specialistët topografë për të nisur punimet, Bashkia e Tiranës ka vendosur që të nis punimet pak me herët nga sa e kishte parashikuar.
Kështu gjatë mbrëmjes së të shtunës, pjesa pranë monumentit të "Skënderbeut" është rrethuar nga punonjësit e bashkisë me rrjeta, duke përgatitur në këtë mënyrë kantierin për punimet që nisën gjatë paradites së ditës se diel.
Ka qenë vetë kreu i Bashkisë Edi Rama që ka inauguruar fillimin e fazës së parë të punimeve për rehabilitimin e sheshit "Skënderbej". Rama e vlerësoi këtë projekt si një nga më të rëndësishmit, më kompleksët dhe njëkohësisht më të ndërlikuarit që Bashkia e Tiranës ka ndërmarrë ndonjëherë.
"Bëhet fjalë për një projekt, shumë të ndërlikuar, pasi do të ketë një infrastrukturë nëntokësore të papërdorur ndonjëherë më parë në Shqipëri, do të ketë njëkohësisht një infrastrukturë ujore e cila do të shërbejë për ta kthyer sheshin, sipas dëshirës dhe rasteve të caktuara në një shesh me shatërvanë të lartësive të ndryshme ose në një shesh pa asnjë pikë ujë. Kjo do të varet nga mënyra se si do të administrohet", u shpreh Rama.
Për të qetësuar të gjitha ata që mendojnë se uji për këtë shesh do të merret nga ujësjellësi i Tiranës, Rama siguroi se uji që do të përdoret për ta lagur, për ta zbukuruar sheshin, për të krijuar mundësi për lojëra të fëmijëve gjatë verës me ujin, do të jetë ujë shiu. Në sajë të infrastrukturës së tij të posaçme nëntokësore sheshi do të jetë në gjendje të grumbulloje vetë ujin.
Duke qenë se punime në shesh nisën më herët nga sa e kishte parashikuar Bashkia (e cila priste të përfundonte rikonstruktimin në disa akse rrugore, të cilat do të zbusnin trafikun gjatë kohës që në shesh kryheshin punime), Rama kërkoi mirëkuptimin dhe bashkëpunimin e gjithë banorëve, për të përfunduar këtë vepër urbane.
"Kompleksiteti i projektit kërkon bashkëpunimin e të gjithëve, sepse pa dyshim, trafiku i cili do të devijohet, do të ketë vështirësitë e veta.
Duhet durim, duhet mbështetje, me bindjen se pas një periudhe jo të lehtë për shkak të punimeve intensive, por shumë të gjera që do të kryhen në shesh, do të kemi sheshin që të gjithë kemi dëshiruar për vite e vite me radhë", tha ai.
Plani i punës, së bashkisë parashikon një proces me blloqe pune, duke evituar në këtë mënyrë mbylljen e të gjithë sheshit njëkohësisht. Sipas Ramës kjo metodë pune do të përdoret për të mos bllokuar të gjithë trafikun i cili kalon nga ky shesh.
Në këtë pikë ai nuk harroi t'i bëjë sërish thirrje qeverisë për shpronësimin e godinës pranë INSIG-ut, në mënyrë që të lehtësohet trafiku për gjatë kohës që do të kryhen punimet në shesh. Por duke qenë se u bënë dy vite që kjo godinë nuk po shpronësohet, bashkia ka vendosur që të punojë, me segmente në mënyrë që të mos pengojë trafikun e makinave.
Rama përfundoi duke theksuar se sheshi "Skënderbej ka qenë sheshi i paradave, manifestimeve të forcës në të gjithë historinë e tij dhe projekti është i konceptuar për ta kthyer këtë shesh në një vend të manifestimit të individualitetit njerëzor, të qytetarisë si shprehje e personit dhe jo e turmës".
Faza e parë e rikonstruktimit të sheshit do ti kushtojë Bashkisë një shumë prej 4.3 milionë eurosh dhe do të realizohet nga kompania kuvajtiane MAK & Sons Group. Qeveria e Kuvajtit, ka akorduar një shumë prej 10 milion dollarësh, për rehabilitimin e të gjithë sheshit "Skënderbej", i cili pritet të përfundojë brenda 9 muajsh.
Punimet që do të kryhen gjatë fazës së parë:
Ndërtimi i një dhome teknike pranë monumentit aktual të Skënderbeut. Kjo dhomë është projektuar të ndërtohet në një thellësi rreth 9 m nga niveli i sheshit në të cilën. Brenda saj do të instalohen rezervuarët e ujit teknologjik dhe atij për vaditje si dhe pompat dhe pajisjet e nevojshme për funksionimin e shatërvanëve të sheshit të ri.
Ndërtimi i dy galerive të nëndheshme në të cilat do të përdoren për instalimin e të gjitha kabllove dhe tubacioneve që parashikohet të përshkojnë sheshin në të dy drejtimet kryesore Veri-Jug dhe Lindje -Perëndim.
Galeria e parë do fillojë të ndërtohet në Bulevardin Zogu i pranë Veve Center, do kalojë përpara Pallatit të Kulturës, përpara ndërtesës së Bashkisë dhe do të përfundojë në kryqëzimin e Bulevardit Dëshmorët e Kombit me rrugën Myslym Shyri.
Galeria e dytë do fillojë të ndërtohet në rrugën e Kavajës përpara ndërtesës së Bankës së Shqipërisë, do përshkojë sheshin e sotëm përpara monumentit të Skënderbeut dhe do përfundojë në kryqëzimin e rrugës Luigj Gurakuqi me Unazën e Vogël. Në të dyja këto nënobjekte parashikohet të punohet paralelisht.
Ndërtimi i disa kolektorëve për ujerat e zeza dhe të bardha që do të sistemojnë të gjitha derdhjet e institucioneve që janë të vendosura në periferinë e sheshit Skënderbej si dhe ujërat e të gjitha rrugëve që lidhen me sheshin.
Punimet për nënshtresat e sheshit të ri si dhe bazamentet e shatërvanëve dhe kanalizimet e tyre.
**********************
Ministri i Transportit sulmon botuesin e Shekullit, Koço Kokëdhima dhe deputetin e PS-së Dashamir Peza
Olldashi: Nuk do t'i lejojmë punimet
Pak minuta pas inaugurimit të fillimeve të punimeve në sheshin "Skënderbej, Ministri i Transporteve dhe Punëve Publik, Sokol Olldashi ka reaguar duke deklaruar se do të pezullojë punimet. Sipas tij qendra e Tiranës e ka një plan rregullimi, të hartuar nga një studio franceze dhe që është miratuar ligjërisht nga Këshilli i Rregullimit të Territorit të Republikës së Shqipërisë.
Duke lënë në këtë mënyrë të kuptohet se plani sipas të cili Bashkia e Tiranës do të kryejë punimet është i paligjshëm. "Në qoftë se bëhet një ndryshim i planit Francez, është e domosdoshme që plani të paraqitet për miratim në KRRTRSH. Por kjo gjë që nuk ka ndodhur" u shpreh Ministri i Transporteve.
Olldashi e përshëndeti shpejtësinë e ndërhyrjes së Kreut të Bashkisë, pas deklaratës së Kryeministrit për asfaltimin e sheshit "Skënderbej", por njëkohësisht i kërkoi Edi Ramës që të dërgojë planin e Bashkisë për miratim dhe shqyrtim në KRRTRSH.
"Ndryshimet nga Plani Francez janë të thella dhe për më tepër ato janë kryesisht klienteliste.
Në qoftë se i referohemi hartës që disponojmë zyrtarisht, bëhet fjalë për ndryshime që lidhen me interesat konkrete të disa njerëzve të afërt të z. Rama, përfshirë hotelet e Koços dhe Dashit.
Ndaj ne nuk do t'i lejojmë këto punime", u shpreh ministri duke sulmuar njëkohësish botuesin e gazetës "Shekulli" Koço Kokëdhima dhe deputetin e PS-së, Dashamir Peza. Ai shtoi e qeveria që ai përfaqëson nuk ka ndërmend të lejojë të shpenzohen fonde të kontraktuara nga qeveria e Shqipërisë, pa ekzistencën e një plani të miratuar.
Bashkia e Tiranës u gjend në konflikt me qeverinë, javën e kaluar, kur kryeministri Sali Berisha deklaroi se qeveria do të asfaltojë sheshin "Skënderbej", pasi ai, u shpreh kryeministri "është turpi i vendit".
Pas kësaj deklaratë Bashkia e Tiranës i ka kërkuar sërish qeverisë që të shpronësojë një godinë pranë INSIG-ut, në mënyrë që ajo të nisë punimet në shesh pa penguar trafikun. Por përgjigjja që ka marrë nga qeveria kanë qenë specialistë topografë të cilët ditën e premte kanë zbritur në sheshin "Skënderbej" për të bërë matjet e duhura , për hartimin e një projekti, për asfaltimin e sheshit.