E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zyrtari i Nishanit kallëzohet për shpërdorim detyre

Sekretari i Ministrisë së Drejtësisë, Florian Nuri dhe një drejtore e Administratës Publike akuzohen se shkarkuan pa të drejtë punonjësit


Të larguarit nga puna akuzojnë se u hodhën në rrugë, me pretendimin e shkurtimit të vendit të punës dhe të nesërmen u zëvendësuan


TIRANË- Kallëzohen në prokurori për akuzën e "shpërdorimit të detyrës", Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Drejtësisë, Florjan Nuri, dhe Enkela Dudushi, drejtore Drejtorie në Departamentin e Administratës Publike të Ministrisë së Brendshme. Kallëzimi është kryer nga 15 punonjësit e liruar nga detyra në emër të "shkurtimit të organikës".


Ky lajm konfirmohet nga burimet zyrtare të Prokurorisë së Rrethit në kryeqytet si dhe nga disa nga firmëtarët e këtij kallëzimi penal të depozituar dy javë më parë. Gjithashtu, po këto burime të institucionit të akuzës, konfirmuan se kallëzimi penal ndaj dy zyrtarëve shtetërore, atë të Ministrisë së Drejtësisë dhe Brendshme, tashmë është regjistruar dhe po kryhen të gjitha veprimet e para hetimore e procedurale të çështjes.


Sipas kallëzimit të firmosur nga 15 (nga 20) të liruarit nga detyra, Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Drejtësisë, Florjan Nuri, me datë 22 shkurt 2010 vendosi lirimin e tyre nga detyra dhe nxjerrjen në listë pritjeje.


Ky vendim i Nurit, sipas kallëzimit, ka ardhur në zbatimit të urdhrit nr.29 që mban datën 5 shkurt 2010, të kryeministrit Sali Berisha, "Për miratimin e strukturës dhe të organikës së Ministrisë së Drejtësisë", e cila miraton strukturën dhe organiken e re të dikasterit të drejtësisë.


"Sipas këtij ristrukturimi të pastudiuar, të propozuar nga Ministri i Drejtësisë, numri i punonjësve në total në këtë institucion ndryshon nga 136 në 122 punonjës.


Në zbatim jo korrekt të urdhrit të Kryeministrit dhe në kundërshtim me ligjin për "Statusin e Nëpunësit Civilë" si dhe aktet nënligjore të nxjerra në bazë dhe në zbatim të tij, nga ana e Sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Drejtësisë dhe Drejtoreshës së Departamentit të Administratës Publike pranë Ministrisë së Brendshme, janë larguar nga detyra dhe janë vendosur në listë pritje 20 punonjës me justifikimin se vendet e tyre të punës janë konsideruar të tepërt në riorganizim.


Ndërkohë që pjesa më e madhe e këtyre funksioneve janë ende ekzistent, por atyre iu është ndërruar emërtimi i sektorit apo drejtorisë përkatëse"-thuhet në kallëzim.


Gjithashtu, mësohet se në kohën e lirimit të këtyre punonjësve nga detyra, Departamenti i Administratës Publike ka konfirmuar si nëpunës civil me ristrukturimin e ri vetëm 41 punonjës, ndërkohë që sipas strukturës se re, dikasteri i Drejtësisë duhet të ketë 122 punonjës.


Sipas këtyre të dhënave, në kohën e lirimit të 20 punonjësve nga detyra dhe vendosjen e tyre në listë pritjeje pranë Ministrisë së Drejtësisë rezultonte se janë më shumë se 60 vende punë të lira.


"Me datë 23 shkurt 2010, ende pa dorëzuar detyrën, punonjësit e liruar nga detyra, sipas vendimeve të Sekretarit të Përgjithshëm të një dite më parë, janë emëruar me kontrata pune 22 punonjës pranë Ministrisë së Drejtësisë"-thuhet në kallëzim.


Sipas kallëzuesve, veprim i lirimit nga detyra dhe vendosjen e tyre në listë pritjeje për shkak të "ristrukturimit", nuk ka qenë i tillë, por, krijimin e vendeve të reja të punës për të favorizuar persona të tjerë që tashmë disa prej tyre janë punësuar.


Largimi i punonjësve, dëmi i shtetit 23 milionë lekë


Sipas kallëzimit të mësipërm, mësohet se kalimi i punonjësve të liruar nga detyra në listën e pritjes të nëpunësve me status, shoqërohet edhe me një dëm financiar për buxhetin e shtetit që kap një shifër për rreth 23 milionë lekë të reja.Ky shpenzim vjen pasi, çdo nëpunës me status që lirohet nga detyra dhe vendoset në listë pritjeje përgjatë një viti ka të gjitha të drejtat e përfitimit të pagës.


Ndërkohë, vendet e tyre tashmë janë zënë me punonjës të rinj, të cilët edhe ata paguhen nga ky buxhet, gjë që sjell dublim pagash edhe për një vit. Për të provuar këto pretendime kallëzuesit e Sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Drejtësisë Florjan Nuri dhe drejtoreshës së Drejtorisë në Departamentin e Administratës Publike pranë Ministrisë së Brendshme Enkela Dudushi, i kanë bashkangjitur kallëzimit të gjitha vendimet e lirimit të tyre nga detyra.


Urdhrin e kryeministrit për "strukturën dhe organiken e re", shkresat dhe korrespodencën mes Sekretarit të Përgjithshëm dhe Departamentin e Administratës Publike si dhe të gjitha kontratat e reja të firmosura me punonjësit e rinj pas largimit të 20 punonjësve nga detyra.


Provat e pretenduara


Vendimet e datës 22.02.2010 të Sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Drejtësisë "Për lirimin nga shërbimi civil";
Urdhri nr. 29, datë 05.02.2010, i Kryeministrit të Republikës së Shqipërisë, "Për miratimin e strukturës dhe të organikës së Ministrisë së Drejtësisë";
Shkresa nr. 1572 Prot, datë 16.02.210 të Ministrisë së Drejtësisë drejtuar Departamentit të Administratës Publike;
Shkresa nr. 217/1 Prot, datë 08.025.2010, "Kthim përgjigje shkresës nr. 1185, datë 04.02.2010" të Departamentit të Administratës Publike;
Kontratat e Punës së punonjësve të marrë në punë me numrat përkatës të datës 23 shkurt 2010

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›