Bashkia publikon skemën e re të lëvizjes

Në "Urën e Re" qarkullimi kryhet në të dy kahet. Trafiku në bulevardin "Zogu i Parë" mbyllet te Muzeu
Enton Punavia: Duhet një menaxhim i mirë i situatës dhe një bashkëpunim ndërinstitucional
Pas kaosit që u krijua dy ditë më parë me trafikun, gjatë një testimi të skemës së re, Bashkia e Tiranës deklaron se skema e qarkullimit nuk ndryshon tërësisht, por po bëhet një menaxhim më i mirë i trafikut dhe kërkohet bashkëpunim me Policinë Rrugore. "Duhet një menaxhim i mirë i situatës dhe një bashkëpunim ndërinstitucional.
Përgjatë orëve që u bë testi, ne kuptuam se ku janë pikat ku duhet të ndërhyjmë për një mirëmenaxhim të trafikut", deklaroi Enton Punavia, drejtor i Transporteve në Bashki.
Përgjatë një ore që u zhvillua testi i para dy ditëve, bashkia arriti të përcaktonte se cilat ishin sjelljet dhe pikat në të cilat duhet të ndërhyhet për një mirëmenaxhim të trafikut.
Aktualisht, bllokimi i trafikut në qytetin e Tiranës po bëhet në mënyrë graduale për t'u dhënë mundësi qytetarëve që të mësohen me ndryshimet e rrjedhës së përditshme. Lëvizja e parë e Bashkisë ka qenë devijimi i trajektores së rrugës nga bulevardi "Zogu i Parë", mbrapa Muzeut Kombëtar.
Ky aks është shndërruar në rrugë me një drejtim. Sipas Punavisë, gjatë kësaj periudhe bashkia është përqendruar në rregullimin, e disa pikave si p.sh., përpara selisë së Partisë Socialiste, tek rruga "Mine Peza", rruga "Dëshmorët e 4 Shkurtit" dhe tek "Ura".
"Patjetër që qytetarëve u nevojiten disa ditë për të kuptuar drejtimet e reja të lëvizjes dhe për t'u mësuar. Pas disa ditësh kur drejtuesit e automjeteve të jenë mësuar me sinjalistikën dhe rrugët, do të bëhet bllokimi i rrugës së 'Kavajës' dhe i rrugës së 'Durrësit' për në Qendër", - shpjegoi drejtori i Transporteve në bashki.
Gjatë kohës që në kantierin e sheshit "Skënderbej" do të kryhen punime, trajektorja e automjeteve do të ndryshojë si më poshtë: mjetet që vijnë nga bulevardi "Zogu i Parë" do të kthehen pas Muzeut, (pra nuk do të vazhdojnë me drejtim destinacion sheshin).
Gjithashtu, mjetet që vijnë nga "Rruga e Dibrës" do të kalojnë drejt përpara Muzeut, mjetet të cilat vijnë përpara Bashkisë do të kthehen tek Xhamia, mjetet të cilat vijnë nga rruga e "Durrësit" dhe rruga e "Kavajës" do të futen në "Unazën e Vogël" të qytetit, do të kalojnë para selisë së Partisë Socialiste dhe prapa lulishtes së Skënderbeut.
Sipas skemës se re të Bashkisë është hapur tashmë trafiku për automjetet në "Urën e Re", që gjendet në hyrje të rrugës "Dëshmorët e 4 Shkurtit", ndërkohë që në këtë rrugë qarkullimi po bëhet në dy drejtime.
Pjesë e fazës së dytë të projektit, është edhe heqja e parkimeve në disa rrugë kryesore të kryeqytetit. Në rrugën "Mine Peza" parkimet do të hiqen në të dy kahet, ndërsa në rrugët "Dëshmorët e katër shkurtit" parkimet do të hiqen vetëm në një krah. Reduktime të vendparkimeve do të ketë edhe në rrugën "Abdi Toptani", në rrugën pas Pallatit të Kulturës, si dhe në rrugën midis Bankës së Shqipërisë dhe selisë së PS-së.
"Ne jemi të bindur se kapaciteti i rrjetit rrugor në këtë plan të ndarë me faza, pra për këtë fazë të menaxhimit të trafikut rrotull sheshit "Skënderbej", e përballon.
Problemi është i një menaxhim i mirë i situatës dhe një bashkëveprim ndërinstitucional, pra edhe i organeve të qarkullimit rrugor për të bërë të mundur dhe funksionale këtë skemë", - përfundoi Punavia, duke i kërkuar drejtuesve të automjeteve të ndjekin sinjalistikën e re, ndërkohë që do të ndihmohen edhe nga Policia Bashkiake.
Stacionet e linjave të Laprakës, Vorës dhe Kamzës zhvendosen përpara Muzeut Historik Kombëtar
Punimet në shesh ndryshojnë stacionet e autobusëve
Rikonstruktimi i sheshit "Skënderbej", vç trajektoreve të trafikut të automjeteve, ka ndryshuar edhe destinacionet e autobusëve të disa linjave urbane.
Pothuajse të gjitha linjat e autobusëve të qytetit nisen ose kanë stacione në shesh, dhe punimet që po kryen kanë devijuar përkohësisht trafikun, si dhe kanë zhvendosur disa prej stacioneve. Kështu ka ndryshuar vendi i nisjes për autobusët e linjave periferike si Laprakë, Vorë, Institut e Kamëz. Stacioni final i Laprakës, Vorës dhe Institutit është zhvendosur përballë Muzeut Historik Kombëtar.
Ndërsa stacioni i ri i linjës së Kamzës është zhvendosur në fillim të rrugës "Mine Peza". Gjithashtu, ndryshime kanë pësuar edhe stacionet e autobusëve që transportojnë qytetarët drejt qendrave tregtare jashtë Tiranës. Stacioni i ri i tyre është zhvendosur në fillim të "Rrugës së Durrësit".
Në këtë riorganizim të trafikut të qendrës së Tiranës, ka ndryshuar edhe trajektorja e linjës së autobusëve "Tirana e re", ndërkohë që vetëm një stacion i kësaj linje është zhvendosur pak metra më tej.
Ata që më parë prisnin autobusin tek Muzeu Historik kombëtar, duhet të zhvendosen pak metra me tej, përballë universitetit privat, për të kapur autobusin e linjës. Qytetarët, të cilët nuk janë paralajmëruar më parë për këto ndryshime, duhet të dëgjojnë borinë e autobusit, i cili u tërheq vëmendjen për ndryshimin e stacionit.
Trajektorja e re e kësaj linje vazhdon përreth Muzeut, del në kryqëzimin e rrugës së "Durrësit" dhe të "Kavajës", vazhdon pas bankës së Shqipërisë deri në fillim të rrugës "Myslym Shyri" dhe më pas kthehet për të dalë në Bulevardin "Dëshmorët e Kombit", për të ndaluar më pas në stacionin e përhershëm. Këto stacione do të aplikohen për sa kohë kryhen punime në sheshin "Skënderbej".