E Diel, 1 Nëntor 2026

Dietat e shoferëve në Gërdec të papaguara

Ish-shefja e financës së Forcës së Bashkuar deklaroi dje në seancë se kishte bërë gati shkresën për dietat, por nuk ishin firmosur


TIRANË - Seanca e 49 gjyqësore në ngarkim të 28 të pandehurve të tragjedisë së Gërdecit vazhdoi dje me pyetjen e tre dëshmitarëve të akuzës, që "rrëfyen" për shpenzimet e Ushtrisë në lidhje me transportin e municioneve nga depot në fabrikën e demontimit, për mospagesën e dietave të shoferëve të ushtrisë, si dhe moszbatimin e urdhrit të ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu, për ruajtjen e ish-repartit të tankeve nga Forcat e Armatosura.


E para, dëshmoi ish-shefja e financës së Komandës së Forcave të Bashkuara (KFB-së), Fikali Golemi, që pranoi se shpenzimet e transportit të municioneve për në Gërdec janë mbuluar nga Forcat e Armatosura.


Madje, ajo tha se kishte përpiluar shkresën për marrjen e dietave nga punonjësit dhe shoferët, të cilët kanë kryer transportin e municioneve nga depot për në Gërdeci jashtë orarit zyrtar. Këto dieta, sipas saj, nuk u paguan asnjëherë nga Ministria e Mbrojtjes edhe pse shkresa është përpiluar dhe dërguar pranë zyrës së financës brenda afatit kohor. Pas përfundimit të dëshmisë së Golemit, gjykata mori në pyetje si dëshmitar, ish-shefin e Transportit në KFB, Bardhyl Çeliku.


Ai ishte punësuar aty me 1 maj 2007-të, dhe ishte liruar më pas po me 1 maj, por të viti 2008-të. Ai pranoi se kishte firmosur urdhra për furnizimin me karburant të automjeteve të Ushtrisë që transportonin municionet nga depot e ndryshme në vend drejt fabrikës së demontimit në Gërdec.


"Transporti i municioneve u bë me mjetet e Forcave të Armatosura, të cilët ngarkoheshin në depo të ndryshme dhe më pas i dërgonin në fabrikën e demontimit në Gërdec. Transporti kryhej gjithmonë pasdite, pasi në mbrëmje duhej të shkarkoheshin në Gërdec.


Gjitha furnizimet janë kryer nga karburanti i Ushtrisë, karburant ky që nuk u kthye asnjëherë në vlerë monetare për Ushtrinë Shqiptare", - tha Çeliku, duke shtuar se disa herë shefi i tij, i pandehuri Zija Baja kishte refuzuar transportin e municioneve për shkak të mospagesës së karburantit.


Pas Çelikut, para togave të zeza dëshmoi ish-shefi i Shtabit të KFB-së, koloneli Baki Bala, që u tregua shumë i "kursyer" në shpjegimet e tija, në krahasim me ato që kishte deklaruar në prokurori në fazën hetimore.


Bala shpjegoi se në asnjë moment nuk kishte qenë në Gërdec dhe nuk kishte dijeni se aty punonin fëmijë. Ai kundërshtoi pretendimet e prokurorisë se ishte përgjegjësia e KFB-së për lejimin e prishjes së objekteve që ndodheshin në ish-repartin e tankeve nga firma e Mihal Delijorgjit, pa një urdhër me shkrim.


"Përgjegjësia për ruajtjen e ambienteve të Gërdecit ishte e Brigadës së Forcës Ajrore dhe jo e KFB-së. Ajo kishte për detyrë përveç se të ruante ato ambiente edhe të mos lejonte të kryheshin punime pa një urdhër", - tha Bala, duke mohuar se kishte dijeni në lidhje me urdhrin gojor që Shpëtim Spahiu (sipas prokurorisë) kishte dhënë për lejimin e punimeve pa urdhër me shkrim.


Ai pranoi se komanda ku ai ishte Shef Shtabi, nuk kishte zbatuar urdhrin e ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu, për ruajtjen e ambienteve të Gërdecit, 45 ditë pasi kjo pronë i kishte kaluar MEICO-s. "Urdhri i ish-ministrit Mediu ishte i paqartë, pasi nuk ishte më kompetencë e KFB-së për të ruajtur me armë Gërdecin, pasi ajo i kishte kaluar MEICO-së", - tha Bakiu në fjalën e tij, duke pranuar se me urdhër të ish-shefit të Shtabit të Ushtrisë, gjeneral Luan Hoxha, është kryer verifikimi i të gjithë municioneve me gëzhoja tunxhi që i nevojiteshin kompanisë së demontimit "SAC" dhe "Albademil".


Pas dëshmisë së tyre, njëri nga katër prokurorët e pranishëm i kërkoi Gjykatës që seancat gjyqësore të regjistrohen me zë, për të mos pasur vonesa në pasqyrimin e procesit gjyqësore. Trupi gjykues u rezervua për t'u shprehur për këtë kërkesë.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›