E Diel, 1 Nëntor 2026

Bashkiaket bllokojne 300 biznese

Policia Bashkiake bllokoi punën në tregun e fruta-perimeve në Tiranë i vendosur prej 14 vitesh tek ish-uzina Dinamo ku janë të punësuar 5200 persona.

Ky veprim zemëroi mbrëmjen e së hënës tregtarët e 300 subjekteve që ushtrojnë aktivitet të licensuar. Ata thanë se kanë  lidhur jetësën me këtë treg dhe duke kundërshtuar vendimin e bashkiakëve për mungesën e higjenës në këtë mjedis, bllokuan  rrugën si e vetmja zgjidhje sipas tyre për  largimin e makinave të Policisë Bashkiake të cilat pengonin hyrjen e tregut. Dilaver Rexhepi, avokati që mbron të drejtat e tregtarëve ngre pretendimin se ndalimi aktivitetit në këtë treg është i jashtëligjshëm pasi Policia Bashkiake nuk i ka dorëzuar një akt bllokimi. “Policia Bashkiake në aktin që kanë vendosur ata për të bërë disa riparime, disa rregullime ku janë gjetur të meta, Policia Bashkiake vjen pa asnjë lloj urdhëri. Pra si rregull është që Policia Bashkiake është mbështetëse e atij subjekti që ka dhënë një urdhër dhe kërkon t’i ekzekutohet vendimi. Këta kanë bllokuar derën që në mëngjes. Ne u themi, dakort zbatoni detyrën por sillni urdhërin. Kush ju ka urdhëruar që t’i vini në mbështetje?”, thotë zoti Rexhepi. Ndërsa Bashkim Koçi përgjegjësi i seksionit të tatim-taksave në Policinë Bashkiake jep këtë version për situatën e krijuar. “Nuk kemi bllokuar aktivitetin tregtar. Cdo makinë, cdo furgon, cdo mjet që mund të futet, mund të ngarkohet me mall sic e parashikon rregullojra e vendosur nga pronarët e tregut. Ne jemi në zbatim të një urdhëri që kemi nga Agjencia e Mbrojtjes së Konsumatorit më 28 gusht dhe administratorët e tregut e zotërojnë këtë urdhër prej kohës”, thotë zoti Koçi. Tregtarët e lidhin bllokimin e tregut me një tjetër arsye atë të zhvendosjes nga bashkia në një tjetër mjedis në dalje të Tiranës që ka përfunduar së ndërtuari pak kohë më parë. Të dyja palët janë të vendosura të mos luajnë nga pozicionet, Policia Bashkiake nga bllokimi i tregut, ndërsa tregtarët që vijnë edhe nga rrethe të tjera të vëndit me kamionat me mall kanë izoluar rrugën që të çon tek ish-uzina Dinamo. / Top Channel

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›